MASHT

MASHT-i shënon 20 vjetorin e pavarësimit të shkollës shqipe

20 Janar, 2012

Ministri Buja bëri të ditur se MASHT-i ka marrë vendim që të shndërrojë në muze shtëpinë-shkollë të Mehmet Aliut në lagjen Kodra e Trimave, ku në atë kohë kanë mësuar nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”. Kjo shkollë është vendosur të emërtohet më emrin e flakadanit të parë të arsimit “Mehmet Gjevori”.

Organizatorë të arsimit në vitet më të rënda të mbijetesës së arsimit në gjuhën shqipe, udhëheqës të lartë të arsimit në vend, drejtorë komunalë të arsimit, mësimdhënës e pronarë të shtëpive-shkolla të viteve 1992-1999, kanë marrë pjesë në një ceremoni solemne,me të cilën MASHT-i ka shënuar 20 vjetorin e pavarësimit të shkollës shqipe në Kosovë.

Ministri i Arsimit, Shekncës dhe Teknologjisë, Ramë Buja me këtë rast tha se ndjehet i privilegjuar që ndodhet para njerëzve që kryen një mision të shenjtë për shtetberjen e Republikës së Kosovës. “Nuk ka gjë më të çmuar se të ofrosh arsimim”, theksoi ai, ndërsa tha se kjo datë, pra data 20 janar, shënon lirimin e shtëpive nga qytetarët për t’u bërë shkolla fillore dhe të mesme në vitin 1992 dhe atë me një ngrohtësi të madhe. “Këtë, pronarët e shtëpive që lëshuan ato për t’i bërë shkolla e bënë për ne dhe po të mos kishim shkolla e universitet në atë kohë, nuk do ta kishim as shtetin që kemi sot”, tha ai, ndërsa përmendi edhe faktin se atë kohë, përveq nxënësve dhe mësidhënësve, nga institucionet e tyre u dëbuan edhe institucionet tjera.

“Por, ju e mbajtët gjallë. Kjo është pjesë e krenarisë suaj dhe tonës për t’u shndërruar në mrekulli”, tha ministri Buja.

Ministri i Arsimit theksoi se kjo ceremoni është organizuar nga ministria që drejton ai, për të nderuar me mirënjohje në mënyrë simbolike të gjithë kontribuesit e organizimit të arsimit të asaj kohe.

Ministri Buja bëri të ditur se MASHT-i ka marrë vendim që të shndërrojë në muze shtëpinë-shkollë të Mehmet Aliut në lagjen Kodra e Trimave, ku në atë kohë kanë mësuar nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”. Kjo shkollë është vendosur të emërtohet më emrin e flakadanit të parë të arsimit “Mehmet Gjevori”.

Ndërsa, Mehmet Hajrizi, kryetar i Këshillit Qëndror të Financimit, i cili funksionoi në atë kohë, foli për orgtanizimin e këtij këshilli dhe rolin e tij në mbijetesën e arsimit shqip të asaj kohe, por edhe të shumë sektorëve tjerë.

Rexhep Osmani, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, e cila barti mbi vete në barrë të madhe të organizimit të arsimit gjatë atyre viteve, kur shqiptarët ishin dëbuar nga institucionet dhe shkollat e universitetet, ndër të tjera lexoi edhe apelin e bërë nga kjo Lidhje më datën 19 janar, ku iu bëhej thirrje rreth gjysmë milioni nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve që të kthehen në institucionet e organizuara nëpër shtëpi.

Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa tha se Republika e Kosovës u bë shteti i vetëm në historinë më të re të njerëzimit që organizonte një formë të tillë të arsimit. “Qeveria e Kosovës, respektivisht MASHT-i përkulet para gjithë këtyre idealistëve…”, tha ai.

Me këtë rast, MASHT-i ndau mirënjohje, në mënyrë simbolike për një pjesë të atyre që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme në organizimin e arsimimit shqip gjatë atyre viteve.

Ndonëse janë rreth 3200 pronarë që atë kohë lëshuan shtëpitë e tyre për qindra mijëra nxënës, studentë e mësimdhënës, vetëm që të mbijetonte arsimi shqip, mirënjohje morën 10 nga ata, ndërsa, organizatorët bënë të ditur se mirënjohjet tjera do të ndahen në bashkëpunim me kuvendet komunale.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.