MASHT

MAShT fillon shpërndarjen e dokumenteve të reja kurrikulare

19 Dhjetor, 2016

Në kuadër të angazhimeve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për finalizimin e përgatitjeve për zbatim të Kurrikulës së re në të gjitha shkollat e Kosovës, sot janë mbajtur takime informuese me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, inspektorë të arsimit, drejtorë të shkollave, mësimdhënës, pedagogë , psikologë dhe koordinatorë për sigurimin e cilësisë në shkolla.

Zëvendësministri i Arsimit, z. Mevludin Krasniqi ka marrë pjesë në takimin e mbajtur në Prizren ku përveç  informatave që morën të pranishmit për zbatimin e Kurrikulës, atyre iu shpërndanë edhe dokumentet kurrikulare si ; Korniza e Kurrikulës, Kurrikulat Bërthamë për nivele  kalendari dhe udhëzuesi për zbatim etj. 

Me këtë rast, zv/ministri Kransiqi tha se sot po fillon një proces i ri, siç është informimi për zbatimin në praktikë të Kurrikulës së re të Kosovës, dokument ky që është bazik dhe shumë i rëndësishëm për sistemin e arsimit dhe që ofron mundësi për një arsim bashkëkohorë të bazuar në kompetenca.

Zv/ministri Krasniqi i ftoi të gjithë akterët që të angazhohen maksimalisht, që të jenë bashkëpunues në këtë proces, të japin sugjerime dhe ide për t`bërë më të mirën e mundshme në procesin e mësimdhënies dhe që  zbatimi i plotë i kurrikulës së re të rezultoi me sukses dhe ngritje të cilësisë .

“Ju jeni ata nga të cilët varet direkt edhe vet suksesi i zhvillimit të procesit mësimor, suksesi i zbatimit të suksesshëm të Kurrikulës së re e cila është konform me trendet bashkëkohore arsimore  ”, tha zv/ministri i Arsimit dhe u shpreh i bindur se angazhimi i përkushtuar dhe profesional i mësimdhënësve dhe të gjithëve është garancë për rezultate më të mira në të ardhmen .


 
Takime te ngjashme po sot, janë zhvilluar në rajonet Pejë, Gjakovë, Mitrovicë dhe Prizren. ndërsa ditëve në vijim do të  mbahen edhe në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe të Prishtinës.

Ndërsa procesi i trajnimit të mësimdhënësve do të fillojë në muajin prill ( në kohën e pushimit pranveror) dhe do të vazhdojë deri në muajin gusht 2017 , kurse  zbatimi i plotë i Kurrikulës së re fillon në shtator të vitit të ardhshëm.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.