MASHT

MAShT dhe OEK ndajnë çmimin për zhvillim të arsimit profesional

14 Dhjetor, 2011

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ndau çmimin për sukses dhe kontribut të veçantë për bashkëpunim dhe zhvillim të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) në Kosovë.

Ky çmim është ndarë pas një gare gjatë vitit që po e lëmë pas dhe ku konkurrent ishin kompani të ndryshme të biznesit në Kosovë, të cilat bashkëpunuan dhe ndihmuan zhvillimin e AAP-së në Kosovë. 
Çmimin, në emër të ministrit të Arsimit e ndau këshilltari Ragip Gjoshi, si dhe Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut.

“Arsimi dhe Aftësimi profesional në Kosovë është pjesa me vitale e sistemit arsimor në Kosovë dhe se kjo pjesë vitale e sistemit nuk mund të zhvillohet pa një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet kompanive dhe shkollave profesionale dhe Qendrave të Kompetencës në Kosovë. Andaj këtë çmim në mënyrë figurative do ta quaja ‘Oscar’ për Zhvillim të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë “, tha Gjoshi.

Gjoshi tha se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përkatësisht Qeveria e Kosovës, deri më tani është orientuar, natyrisht së bashku dhe me ndihmën e donatorëve, në ngritjen e infrastrukturës. Mirëpo, tani e tutje koncentrimi ynë është i orientuar kryekëput në cilësinë e arsimit në Kosovë, e në këtë rast të Arsimit dhe Aftësimit.

“Asnjë vend i botës nuk e ka zhvilluar arsimin profesional vetëm me punën e Ministrisë përkatëse, por me një bashkëpunim të mirëfilltë shkollë -biznes”, theksoi z.Gjoshi. 
Këshilltari Gjoshi, në emër të MAShT , falënderoi Odën Ekonomike të Kosovës për kontributin e dhënë në këtë drejtim, ndërsa një falënderim i veçantë i shkon kompanive kosovare të cilat me vite kanë kontribuar në fushën e AAP-së.

Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i OEK-ut, z. Safet Gërxhaliu.
Sipas tij, kjo garë do të jetë tradicionale, ndërsa fituese e sivjetme është kompania “Galenteria group” nga Podujeva.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.