MASHT

MAShT dhe drejtorët komunalë të arsimit biseduan për përgatitjet për vitin e ri shkollor

7 Korrik, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në takimin me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), në të cilin u bisedua për përfundimin me sukses të këtij viti shkollor dhe përgatitjet rreth fillimit të vitit të ri shkollor 2016/17 . Në këtë takim u fol edhe për zhvillimin e procesit te pilotimit të Kurrikulës së re në 95 shkolla, procesin e rishikimit të Kornizës dhe Kurrikulave Bërthamë, si dhe për tekstet shkollore.

Ministri Bajrami ka uruar drejtorët komunalë për angazhimin konstant të tyre në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe përfundimin me sukses të vitit shkollor 2015/16, ndërsa i porositi ata që të jenë të angazhuar edhe në përgatitjet për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor bashkë me drejtorët e shkollave.

“Ky vit ishte një vit me plot sfida, por njëherësh vit i suksesshëm si rezultat i punës suaj, një vit i cili ka shënuar përpjekjet tona të vazhdueshme për ngritjen e cilësisë, për vendosjen e rregullit dhe rendit në shkolla dhe sigurimin e cilësisë“,  tha ministri Bajrami.

Sa i përket procesit të pilotimit të Kurrikulës së re u tha se në bazë të sygjerimeve nga terreni, ekspertët për hartimin e KKK-së kanë bërë disa ndryshime, por duke u ruajtur thelbësorja e që është kurrikula e bazuar në kompetenca dhe autonomia e shkollave, kurse çështja e kurrikulës lëndore,  nuk do të jetë më në kompetencë të shkollave.



Ndërsa, viti i ri shkollor 2016/17 do të jetë vit i zbatimit të Kurrikulës së rishikuar për  klasat 1, 6 dhe 10 në 95 shkollat pilote. Sa i përket teksteve shkollore u tha se janë rishikuar një numër i konsiderueshëm  i teksteve  për arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët, të cilat janë në proces të ribotimit dhe do të jenë të gatshme në fillim të vitit të ri shkollor.

Last modified: 29 Gusht, 2022