MASHT

MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI MES MASHTI DHE RRGK NË FUSHËN E EDUKIMIT DHE ARSIMIT TË NDJESHËM GJINOR

10 Dhjetor, 2021

10 Dhjetor 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe drejtoresha e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi në fushën e edukimit dhe arsimit të ndjeshëm gjinor që sfidon normat ekzistuese gjinore dhe marrëdhëniet e pabalancuara të pushtetit.

Në nivel kombëtar, ky bashkëpunim do të kontribuojë në transformimin e normave dhe stereotipeve gjinore dhe avancimin e barazisë gjinore, ndërsa me punën e përbashkët, MAShTI dhe RrGK do të afrohen më shumë drejt synimeve universale për edukim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë.

Ministrja Nagavci, me këtë rast, falënderoi drejtoreshën Rogova dhe RrGK-në për kontributin e jashtëzakonshëm në avokimin e të drejtave të vajzave dhe grave dhe promovimin e barazisë gjinore në shoqërinë tonë.

Ndërkaq, drejtoresha Rogova e vlerësoi lartë bashkëpunimin që po ofron MAShTI dhe tha se ky bashkëpunim që u finalizua me Marrëveshjen e sotme do të shërbejë për realizimin e synimeve të përbashkëta për avancimin e barazisë gjinore.

Ky bashkëpunim do të realizohet me anë të promovimit të qasjes edukative të barabartë e me ndjeshmëri gjinore që në fëmijërinë e hershme, si dhe përmirësimit të vazhdueshëm të kurrikulave dhe teksteve shkollore nga perspektiva gjinore në arsim, me theks të veçantë në arsimin parauniversitar.

Fushëveprimi që e parasheh Marrëveshja është edhe avokimi mbi barazinë gjinore tek komuniteti i gjerë i edukimit e arsimit në Kosovë, përfshirë fëmijët/nxënësit, edukatorët, mësimdhënësit, stafin administrativ të institucioneve të arsimit dhe prindërit/familjet.

Rrjeti i Grave tё Kosovёs është rrjet që avokon në emër të grave dhe vajzave kosovare, në nivelin lokal, regjional dhe ndërkombëtar, duke përfaqësuar interesat e 180 organizatave anëtare.

Nёnshkrimi i marrёveshjes së sotme u bë nё kuadёr tё “16 ditёve tё aktivizmit kundёr dhunёs nё baza gjinore”.

Last modified: 6 Qershor, 2022

Comments are closed.