MASHT

LANSOHET PROGRAMI “SPORTI NË SHKOLLA” I CILI KA PËR QËLLIM NDËRLIDHJEN E SPORTIT ME ARSIMIN DHE SHËNDETIN

26 Janar, 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ishin prezentë në ceremoninë e lansimit të programit “Sporti në Shkolla”, me ç’rast para të pranishmëve në sallën sportive të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xheladin Rekaliu” në Podujevë, fjalë rasti mbajtën kryeministri Kurti, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe personalitete të tjera të institucioneve të cilat janë pjesë e programit.

Në këtë ceremoni u fol për rëndësinë e zbatimit të programeve sportive në shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme të nxënësve, si dhe në identifikimin e potencialeve dhe talentëve në shkollat tona.

Kryeministri Kurti tha se, kjo nismë synon fuqizimin e të rinjëve tanë përmes ndërlidhjes së arsimit me sportin dhe të sportit me shëndetin. Kurti theksoi se bashkëpunimi i Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Kulturës dhe Federatës së Sportit Shkollor ka për qëllim ndërtimin e një shoqërie aktive dhe të shëndetshme, përmes pjesëmarrjes së rregullt në aktivitet fizik dhe sportiv.

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi vlerësoi se angazhimi i të rinjve në sport është një investim i rëndësishëm për të ardhmen e tyre, pasi nga garat dhe aktivitetet sportive ata zhvillojnë disiplinë, durim dhe aftësi ekipore.

Programi “Sport në Shkolla” do të fillojë nga sot me zbatimin e kurseve të rregullta sportive për nxënësit, si dhe pajisjen e shkollave me mjetet e nevojshme për sportin e shahut dhe basketbollit, me qasje të plotë dhe pa pagesë për të gjithë nxënësit brenda mjedisit shkollor dhe në raste të caktuara edhe në hapësira sportive jashtë shkollës.

Faza pilotuese e “Sport në Shkolla” ka filluar në gjysmë vjetorin e vitit të kaluar, në 49 shkolla të 23 komunave të Kosovës, nëpërmjet trajnimit të mësimdhënësve për zbatimin e programit në sportin e basketbollit dhe të shahut.

Programi është hartuar në kornizë kohore prej gjashtë vitesh dhe përfshinë pesë komponente:

1.Zhvillimi i aktivitetit të rregullt sportiv dhe fizik në shkollë;

2.Organizmin e garave sportive në shkolla;

3.Ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve për organizimin e aktiviteteve sportive;

4.Furnizimin e shkollave me pajisje sportive, dhe

5.Përmirësimin e infrastrukturës sportive shkollore.

Last modified: 29 Shkurt, 2024