MASHT

KQSHM e vlerëson të suksesshëm Provimin e Maturës (pjesa e dytë)

5 Shtator, 2015

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQShM), në konferencën e mbajtur për media, e ka vlerësuar të suksesshme mbarëvajtjen e procesit të Provimit të Maturës Shtetërore 2015, në afatin e gushtit (pjesa e dytë).

Kryetari i KQShM-së, z. Azem Guri ka theksuar se, i tërë procesi ka shkuar sipas planifikimit dhe rregullave të përcaktuara nga ky Komision, ndërsa theksoi se nga raportimet e marra nga terreni, nuk është evidentuar ndonjë parregullsi nga Qendrat e Testimit.

Z.Guri theksoi se në bazë të vlerësimeve të KQShM-së dhe të monitoruesve bëhet fjalë për një Maturë shumë të suksesshme në të dyja afatet. “Po funksionojnë rregullat e përcaktuara nga KQShM dhe mbi bazën e kësaj, po ndërtohet një standard i Maturës së suksesshme”. 

Z.Guri falënderoi maturantët, të cilët nuk kanë vepruar në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga KQShM, prindërit, Divizionin për Vlerësim dhe Monitorim të MAShT, të gjithë administruesit, mbikëqyrësit dhe monitoruesit që janë përkujdesur për mbarëvajtjen dhe monitorimin e këtij procesi, përfshirë kryetarët e komunave, drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave, Policinë e Kosovës,  platformën Kallxo.com dhe të gjitha mediat që kanë dhënë kontributin e tyre duke përcjellë te publiku mbarëvajtjen e Provimit. 

Kryetari i KQShM-së, po ashtu, tha se është viti i fundit që Matura Shtetërore po organizohet me ligjin aktual, ndërsa pritet që vitin e ardhshëm ky proces i testimit të maturantëve të organizohet me ligjin e ri. 
Në afatin e gushtit, Provimit të Maturës Shetërore i janë nënshtruar rreth 16 mijë maturantë në 162 qendra të testimit. 

Rezultatet e Provimit të Maturës do të publikohen me 9 shtator 2015.

Last modified: 31 Gusht, 2022