Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka paraqitur para Komisionit Parlamentar për Arsim, Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, me ç’rast ka theksuar se në procesin e hartimit të projektligjit janë përfshirë të gjithë akterët relevantë të fushës së edukimit për fëmijët e moshës 0-6 vjeç.
Ministrja ka thënë se me këtë projektligj po përmirësojmë bazën e zhvillimit të fëmijëve, ndërsa ka theksuar se ky Projektligj rregullon të gjitha format e ofrimit të shërbimeve të edukimit për më të vegjlit tanë.
Duke elaboruar Projektligjin, ministrja Nagavci ka theksuar se në reflektim të synimit qeveritar që të rrisim përfshirjen e fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme, Projektligji parasheh forma të ndryshme të organizimit të shërbimeve.
Përveç institucioneve parashkollore publike, atyre private, dhe institucioneve parashkollore në partneritet publiko-privat, janë përfshirë edhe forma të reja alternative të organizimit siç janë: institucionet parashkollore brenda institucioneve qendrore, lokale apo korporatave të ndryshme, institucionet me bazë në komunitet dhe forma të tjera alternative që organizohen në bashkëpunim me komunën.
Ndër risitë tjera që sjellë Projektligji, është përcaktimi që edukimi parafillor (mosha 5-6 vjeçare) që aktualisht funksionon në kuadër të shkollave fillore dhe institucionet parashkollore, të bëhet i obligueshëm nga viti shkollor 2023-2024.
Po ashtu, ministrja theksoi edhe përpilimin e kurrikulës së re të edukimit në fëmijërinë e hershme të bazuar në lojë e në vlera, koordinimin e integrimit ndërsektorial, përkrahjen e edukimit në familje për rëndësinë e zhvillimit dhe investimit në moshën e hershme, aftësimin e dadove profesionale si persona të çertifikuar që angazhohen nga familjet, përfshirjen e vullnetarizmit në edukimin në fëmijërinë e hershme.
Ministrja Nagavci përmendi edhe 10 akte nënligjore (Udhëzime Administrative) që planifikohet të hartohen pas miratimit të Projektligjit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të ndihmuar zbatueshmërin e tij në praktikë.
Last modified: 22 Shtator, 2022