Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dënon ashpër rastin që ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në shkollën e mesme teknike “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë, me ç’rast nga plagët e shkaktuara me thikë në ambientet e shkollës, ka ndërruar jetë nxënësi i klasës së 13, A.S.
Ministri Buja, në emër të MAShT, i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit për humbjen e djalit të tyre, ndërsa apelon te të gjitha institucionet, shoqëria civile dhe prindërit , që bashkarisht të punojmë edhe më shumë në ngritjen e vetëdijes për eleminimin e dukurive negative në shkolla.
MAShT është duke punuar vazhdimisht përmes strategjive dhe aktiviteteve të ndryshme për parandalimin e dhunës në shkolla, por gjithsesi që kontributi i të gjithë akterëve tjerë është i domosdoshëm në mënyrë që të kemi shkolla të sigurta për fëmijët tanë.
Last modified: 1 Shtator, 2022