MASHT

Inspektorati i Arsimit organizoi Punëtorinë me temë “Praktikat e mira për inspektim efektiv”

6 Tetor, 2025

Në prani të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministres në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Sekretares së Përgjithshme, Fadile Dyla, Inspektorati i Arsimit hapi Punëtorinë me temën “Praktikat e mira për inspektim efektiv”, për të theksuar rolin e inspektorit si partner udhëzues në rrugën drejt përmirësimit të cilësisë në arsim.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vlerësoi punën dhe përkushtimin e inspektorëve të arsimit në mbikëqyrjen dhe garantimin e cilësisë së arsimit në Kosovë, duke theksuar se Inspektorati i Arsimit është shtylla kryesore e zbatimit të politikave arsimore dhe garantuesi i respektimit të standardeve në institucionet arsimore publike dhe private.

“Roli i Inspektoratit nuk është të ndëshkojë, por të udhëzojë, këshillojë dhe përkrahë institucionet arsimore. Ju jeni partnerë të mësimdhënësve dhe drejtuesve të shkollave, bashkudhëtarë në rrugëtimin për cilësi. Për këtë arsye, MAShTI do të vazhdojë të investojë në trajnime, kushte më të mira pune dhe ngritje profesionale të vazhdueshme”, theksoi kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti kujtoi se për shumë vite Inspektorati i Arsimit ka funksionuar me vetëm 25 inspektorë për tërë vendin, por falë përkushtimit të Qeverisë së Kosovës dhe MAShTI-t, ky numër tashmë është rritur, duke përfshirë 22 inspektorë të rinj që janë pranuar kohët e fundit.

Në anën tjetër, ministrja Nagavci vlerësoi punën e Inspektoratit për realizimin për herë të parë të procesit të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve për nivelin e licencës së avancuar, si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit profesional dhe rritjes së cilësisë në mësimdhënie.

Ministrja Nagavci përmendi edhe një sërë investimesh e arritjesh që kanë ndikuar në përmirësimin e përgjithshëm të sistemit arsimor, përfshirë: miratimin e 9 ligjeve dhe projektligjeve dhe 41 udhëzimeve administrative që rregullojnë proceset në të gjitha nivelet e arsimit; hartimin e Strategjisë së Arsimit 2022–2026; miratimin e Projektligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme (EFH) dhe ndërtimin e 14 çerdheve të reja, me mbështetje edhe nga Bashkimi Evropian, 29 të tjera të cilat janë në proces të ndërtimit dhe 5 në proces të tenderimit; ndërtimin e 18 shkollave të reja, renovimin e 8 shkollave ekzistuese, si dhe ndërtimin e 15 sallave sportive në mbarë vendin; forcimin e arsimit profesional dhe dual, përmes përfshirjes së mbi 900 nxënësve në 23 shkolla, trajnimit të instruktorëve dhe pjesëmarrjes së Kosovës në Aleancën Evropiane për Praktikat Profesionale.

Ministrja theksoi se të gjitha këto investime e reforma nuk janë të ndara nga puna e Inspektoratit të Arsimit, por shkojnë drejt përmirësimit të kushteve të mësimdhënies dhe lehtësimit të punës së inspektorëve në terren, duke forcuar sistemin arsimor në tërësi.

Në fund të fjalës së saj, ministrja Nagavci u shprehu falënderim të gjithë inspektorëve për angazhimin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre të përditshëm.

Drejtoresha e Përgjithshme e Inspektoratit të Arsimit, Besa Bytyqi Baraliu, tha se, mbështetja e ministres Nagavci dhe Qeverisë së Kosovës ndaj Inspektoratit të Arsimit është një dëshmi e qartë se cilësia në arsim është prioritet kombëtar.

“Kjo na motivon të punojmë me përkushtim edhe më të madh për të garantuar një sistem arsimor ku çdo institucion funksionon me standarde të larta profesionalizmi dhe përgjegjësie”, shtoi ajo.

Last modified: 6 Tetor, 2025