MASHT

Gjimnazi “Sami Frashëri II” në Prishtinë nga sot do ta mbajë emrin “Ahmet Gashi “

15 Shtator, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të emrit të gjimnazit “Sami Frashëri II” (shkenca shoqërore), i cili nga sot do mbajë emrin e intelektualit dhe patriotit Ahmet Gashi, i diplomuar si profesor i Historisë dhe Gjeografisë në Universitetin e Stambollit (1910), mësimdhënës që nga vitet 1910-12.

Ministri Bajrami, me këtë rast, tha se kjo është një ditë historike për këtë gjimnaz, për faktin se sot po i kthehet një ikonë e këtij gjimnazi, ikonë e një periudhe njëqind vjeçare të përpjekjeve të popullit tonë për liri dhe pavarësi.

“Nuk ka gjë më të mirë për një shkollë se sa të mbajë me krenari dhe pietet  emrin e profesor Ahmet Gashit, një figure polietrike kombëtare, një mësimdhënësi të gjeografisë dhe historisë, atdhetari të shquar, i cili sa ishte i Kosovës, ishte edhe i Shqipërisë”, tha ministri Bajrami.

Në vazhdim, ministri Bajrami tha se, ky është shekulli i shqiptarëve dhe ne duhet të bëjmë përpjekje që fusha arsimit të bëhet fushë e bashkimit dhe  integrimit kombëtar, që nxënësve tanë t’u ofrojmë një arsim cilësor, një arsim kombëtar, që ata të edukohen në frymën e atdhedashurisë. 

“Nuk ka gjë më të shenjtë se sa të edukosh fëmijët, që ata një ditë të bëhen bartës të proceseve dhe uroj gjithashtu që nxënësit e kësaj shkolle të  mësojnë dhe te prijnë për cilësi dhe të jenë të parët në Kosovë ”, tha në fund ministri Bajrami.


Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe kryetari i komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, si dhe familjarë të atdhetarit Ahmet Gashi.

Profesor Ahmet Gashi (1888-1977), ndër tjera shquhet si një ndër hartuesit e parë të hartës gjeografike të Shqipërisë natyrale, mësimdhënës në disa shkolla anë e kënd Shqipërisë, kryetar i maturantëve të armatosur të Prishtinës (1912) , pjesëmarrës në   luftën e  Vlorës (1920) , kryetar i Kongresit Kombëtar të Arsimtarëve në Tiranë (1924) ,  autor i tekstit “ Gjeografia e Shqipërisë” për shkollat e mesme (1933), drejtor i gjimnazit “Sami Frashëri “ në Prishtinë, hartues i i disa hartave gjeografike dhe historike  dhe teksteve mësimore (1935) , autor i librit “ Lëvizja Kombëtare Shqiptare e vitit 1908 (botuar 1972 , etj.

Last modified: 29 Gusht, 2022