MASHT

Filloi punimet Seminari i 10- të Mbarëkombëtar për Mësimin Plotësues të Gjuhën Shqipe në Diasporë

30 Korrik, 2014

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS), kanë zgjedhur kësaj radhe qytetin e Beratit mikpritës të pjesëmarrësve të Seminarit të 10-të Mbarëkombëtar për Mësimin Plotësues të Gjuhës Shqipe në Diasporë, i cili po zhvillon punimet nga data 29 korrik- 1 gusht 2014.

Në hapjen e Seminarit, këshilltari i ministrit Buja, z. Azem Guri, ka theksuar rëndësinë e organizmit të këtij seminari, sa i përket ruajtjes së identitetit dhe edukimit të brezave në frymën kombëtare. “Nuk është me rëndësi se ku jetoni e veproni, por e veçanta është se ju jeni angazhuar në funksion të së mirës së përgjithshme kombëtare: në ruajtjen e identitetit, kulturës dhe mbjelljen e dashurisë dhe respektin ndaj të folurës së të parëve tanë – gjuhës shqipe”, iu është drejtuar mësuesve ai.

Këshilltari Guri foli edhe për unifikimin e planprogrameve dhe koordinimin e vazhdueshëm në mes të të dyja shteteve, në zhvillimin e sistemeve arsimore dhe avancimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.

Ndërsa, znj. Zamira Gjini nga Ministria e Arsimit dhe Sportit theksoi se, bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Ministrisë së Diasporës ka marrë dimension gjithpërfshirës, për të hapur mundësi të reja të përfshirjes gjithnjë në rritje të fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.

Gjini vlerësoi lartë veprimtarinë e mësuesve të gjuhës shqipe në vende të ndryshme të botës. “Ju jeni misionarët e kombit jashtë atdheut, pasi përhapni dije dhe traditë në vendet ku jetoni. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përparësi të punës së saj mbështetjen e veprimtarive mësimore të mësimit plotësues në diasporë”, është shprehur Gjini.

Last modified: 1 Shtator, 2022