Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë dhe lansimit Programit të Vajzave Inxhiniere Globale në Kosovë, iniciativë e LIMAK Kosova dhe UNDP me përkrahjen e MASHTI, janë ndarë shpërblime për 20 studente në fushat e inxhinierisë që përfshinë mbështetje financiare, trajnim, punë praktike e mentorim.
Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna u ka uruar suksese të gjitha vajzave që janë shpërblyer për punën e tyre, ndërsa ka falënderuar LIMAK Kosova dhe UNDP për bashkëpunimin në këtë iniciativë, e veçanërisht për ndihmën që po i ofrojnë Ministrisë për të shtyer përpara prioritetet saj për vajzat/gratë në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).
Zv/ministrja Maloku Bërdyna tha se, fushat STEM konsiderohen profesionet e së ardhmes dhe si të tilla nxisin mirëqenien sociale e personale, zhvillimin gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm përmes inovacionit e kreativitetit.
Ndër të tjera, Maloku Bërdyna theksoi se, zyrtarizimi i Programit Vajzat Inxhiniere Globale përkrahë mirë qëllimet e MASHTI për promovimin e vajzave/grave në STEM dhe shënimi i kësaj ngjarje në prag të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë e bën këtë aktivitet edhe më kuptimplotë.
Përveç mbështetjes financiare me 2 milionë Euro për vajzat/gratë në STEM, MASHTI tashmë ka filluar zgjerimin e aktiviteteve përkrahëse përmes programeve të tilla që ndihmojnë gratë në rrjetëzim, punë praktike, zhvillimin profesional e lidhje me industrinë.
Last modified: 14 Shkurt, 2023