Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me Daniele Passalsqua, udhëheqës i Projektit LuxDev dhe Bujar Kadriu nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, kanë marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të gjeneratës së dytë prej 75 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.
![](https://masht.rks-gov.net/uploads/2019/08/69505790-514837252610837-7590530044779298816-n.jpg)
Ministri Bytyqi, pasi ka uruar asistentët për mbështetjen në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, në kuadër të sistemit të rregullt arsimor, tha se zbatimi i politikave arsimore që ofrojnë mbështetjen e nevojshme për këtë kategori të fëmijëve është i një rëndësie të jashtëzakonshme.
“Arsimi i fëmijëve me nevoja të veçanta është sfidë, jo vetëm për Ministrinë e Arsimit, por për gjithë shoqërinë, andaj edhe jemi angazhuar që të përgatisim kuadrot e nevjoshme për këtë qëllim”, ka thënë ministri Bytyqi.
Ministri Bytyqi theksoi se, këtë vit MAShT ka krijuar mundësi për punësimin e 100 asistentëve në shkolla dhe kjo do të vazhdojë edhe për tri vitet e ardhshme.
Certifikatat e ndara për këta asistentë janë të njohura ndërkombëtarisht, ndërsa procesi i kualifikimit është realizuar nga MAShT, me mbështetjen e Projektit LuxDev. Procesi i kualifikimit do të vazhdojë edhe me gjeneratën e tretë, konform kërkesave të tregut të punës.
![](https://masht.rks-gov.net/uploads/2019/08/69351182-1383114855175774-296684074381082624-n.jpg)
Last modified: 9 Qershor, 2022