Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka pritur sot një grup biznismenësh nga India, të cilët kanë edhe një universitet me bazë në Angli.
Përfaqësuesit e këtij universiteti (New London College), i cili është i specializuar në shkencat inxhinierike dhe mjekësore, ka shprehur interesimin që të investojë edhe në Kosovë në arsimin e lartë.
Drejtori i universitetit, Shailesh Chaube, ka kërkuar përkrahje nga ministri Buja që të krijojnë një kampus universitar edhe në vendin tonë, por edhe për mundësi të tjera bashkëpunimi në fushën e IT-së dhe sa i përket kurrikulumeve në arsimin e lartë publik, ku ky universitet dhe universitete tjera në botë, me të cilat ka bashkëpunim, mund të jepnin kontributin e tyre.
Ministri Ramë Buja, i ka falënderuar mysafirët për këtë ofertë dhe ka theksuar se dera e zyrës së tij është gjithmonë e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan të kontribuojnë në arsim. Ai i ka siguruar se në MASHT nuk do të ketë procedura administrative të zgjatura. Por, ministri ka thënë se adresa e saktë për iniciativa të tilla është Agjencioni i Akreditimit i Kosovës, duke qenë se tashmë Kosova e ka të rregulluar tregun e arsimit të lartë privat.
Në këtë drejtim, ministri Buja ka theksuar se tregu i arsimit privat në Kosovë nuk është i paeksploruar dhe i paprekur nga ndërkombëtarët, duke përmendur këtu Universitetin Amerikan të Kosovës dhe disa shkolla të mesme e fillore, që janë hapur si investime nga shtete të ndryshme të Evropës dhe botës.
Last modified: 26 Gusht, 2022