Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në prezantimin e Edicionit të Parë të Barometrit të Reformave Evropiane për periudhën janar-dhjetor 2023, një nismë e re e ndërmarrë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), ku është vlerësuar se nga totali prej 100 pikëve, Qeveria e Kosovës ka arritur 51 prej tyre, ndërsa performanca e Ministrisë së Arsimit është vlerësuar me 60 pikë.
Ceremonia e prezantimit të Barometrit është hapur nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog dhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezo, ndërsa në panelin e diskutimit të hapur morën pjesë ministrat që kanë shënuar performancën më të mirë gjatë këtij vlerësimi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ministrja Nagavci ka përgëzuar organizatorët për iniciativën, duke e cilësuar këtë vlerësim si një mundësi dhe garë për të qenë në hap me kërkesat e BE-së.
Ministrja Nagavci ka thënë se, MAShTI ka qenë e përkushtuar në realizimin e planifikimeve të saj, megjithë kompleksitetin dhe mbulueshmërinë e gjerë, pasi në shumë vende të BE-së shkenca dhe inovacioni funksionojnë si ministri të ndara.
Ndër sfidat kryesore, ministrja Nagavci ka përmendur vështirësitë në ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve, në veçanti Ligjin për Arsimin Parauniversitar, si një ndër ligjet më vitale sa i përket zbatimit të reformave në arsim, dhe po ashtu Ligjit për Arsimin e Lartë.
Ministrja Nagavci gjithashtu ka thënë se, si Ministri jemi përkushtuar që në kuadër të kompetencave të bëjmë harmonizimin e politikave tona me agjenden e BE-së, megjithëse kjo përpjekje dhe ky përkushtim kërkon punë shtesë dhe resurse humane.
Nagavci po ashtu ka folur edhe për punën që është bërë sa i përket harmonizimit të kërkesave të tregut me arsimin dhe aftësimin profesional, zbatimin e mësimit dual, rëndësinë e miratimit të Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme dhe procesin e digjitalizmit të arsimit.
Ndërsa, ministrja Rizvanolli dhe ministri Aliu u pajtuan se, sfida në bashkëpunimin ndërsektorial, mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe fuzionimi i ministrive, kanë qenë vështirësitë kryesore me të cilat janë përballur gjatë zbatimit të reformave në institucionet të cilat ata i drejtojnë.
Ky Barometër ka për qëllim të avancojë diskursin publik mbi reformat e BE-së dhe të rrisë përgjegjshmërinë e institucioneve publike, përmes vlerësimit të rregullt të performancës së Qeverisë së Kosovës, përkatësisht ministrive relevante në zbatimin e reformave të zotuara.
Last modified: 29 Shkurt, 2024