MASHT

MINISTRI BYTYQI ZHVILLOI DISA TAKIME TË RËNDËSISHME ME PËRFAQËSUES TË INSTITUCIONEVE ARSIMORE NË SHBA

30 Shtator, 2018

Në vazhdën e takimeve të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pasur sot takime me Presidentin e Nova Virginia Community College, Dr. Scott Ralls dhe ekipin e tij, me eksperten për vlerësim të performancës së mësimdhënësve, znj. Elizabeth Ross, me drejtorin menaxhues të Këshillit Kombëtar për Cilësinë e Mësimdhënies dhe me udhëheqësit e DC Public Schools Central Office.

Gjatë takimit me presidentin Ralls dhe stafin e tij të Nova Virginia Community College, si kolegji më i rëndësishëm në shtetin Virgjinia, ministri Bytyqi u njoftua për punën e madhe që bëhet në këtë kolegj, identifikimin e nevojave të tregut të punës, për ndihmën dhe përkrahjen e studentëve dhe përgatitjen e tyre për këto programe.

Ministri Bytyqi ka diskutuar me presidentin Ralls edhe për mundësitë e bashkëpunimit që studentët tanë nga Kosova të kenë mundësi të bëhen pjesë e këtij kolegji, e rreth kësaj çështje presidenti Ralls ka shprehur gatishmërinë e tij të plotë për të bashkëpunuar.

Gjatë takimit tjetër me eksperten për vlerësim të performancës së mësimdhënësve, znj. Elizabeth Ross, ministri Bytyqi është njoftuar në hollësi për metodat, sfidat dhe praktikat që ndiqen gjatë procesit të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu, Ministri e ka njoftuar znj. Ross se edhe në Kosovë, tashmë jemi në fazën fillestare të procesit për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve dhe rreth çështje znj. Ross ka shprehur gatishmëri për të na dhënë përkrahje dhe për të na ndihmuar me praktikat më të mira dhe përvojën e tyre në këtë proces shumë të rëndësishëm për ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar.

Ndërsa, në takim me udhëheqësit e shkollave publike, është biseduar rreth arsimit parauniversitar në vendet përkatëse, në veçanti për organizimin e shkollave publike në arsimin parauniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Last modified: 10 Qershor, 2022

Comments are closed.