MASHT

Ministrja

Foto e Ministres

Arbërie Nagavci
Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

Arbërie Nagavci ka një përvojë të gjatë në fushën e arsimit dhe edukimit. Znj. Nagavci karrierën e saj profesionale e nisi si mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën lokale në Gjakovë (1995-2006). Në vitin 2006, u emërua drejtoreshë e po të njëjtës shkollë, pozitë të cilën e mbajti deri në vitin 2012.

Nga viti 2014 deri më 2017, znj. Nagavci ishte drejtoreshë në Drejtorinë Komunale për Arsim në Prishtinë. Për dy vite ishte edhe ligjëruese e nivelit të 5-të, programi PEARSON, për asistentë të fëmijëve në arsimin special.

Znj. Nagavci është e certifikuar si trajnere dhe kryefasilituese në programe të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, kryesisht në fushën e edukimit, lidershipit dhe udhëheqjes arsimore, të drejtat e njeriut/fëmijës dhe ndërkulturalizimin. Ndër programet që ka ndjekur janë programi për Lidership në Washington DC dhe programi Pearson për mësimdhënës, Nivelit i 5-të BTEC.

Nga viti 2010 deri më 2017, znj. Nagavci ka punuar si konsulente, trajnere dhe këshilltare për arsim në programe të ndryshme në institucione vendore dhe ndërkombëtare si: USAID, GIZ, Këshilli i Evropës, KulturKontakt Austria, MAShT, KEC, etj.

Znj. Nagavci ka qenë kryefasilituese për Udhëheqje Arsimore dhe Menaxhim të Shkollave në GIZ/CDBE, BEP/USAID. Po ashtu, edhe këshilltare për arsim dhe kryefasilituese në programin për edukim themelor – Basic Education Program BEP/USAID, si dhe pjesë e politikëbërjes dhe praktikave për përgatitjen e mësimdhënësve për edukimin gjithëpërfshirës në kontekst të ndryshimeve sociale dhe kulturore, zbatuar nga Fondacioni Evropian për Trajnime, (ETF).

Znj. Nagavci ka qenë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Projektit të E-edukimit, Bit Kosova dhe anëtare e Trupit Këshillëdhënës në Fakultetin e Edukimit si dhe anëtare e Trupit Këshillëdhënës në Fakultetin e Filologjisë, në Prishtinë.

Krahas angazhimeve profesionale, znj. Nagavci ka kontribuar poashtu edhe në politikën e Kosovës si anëtare e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e 6-të dhe të 7-të duke përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje. Në legjislaturën e 6-të znj. Nagavci

ka qenë anëtare e Komisionit për Arsim si dhe anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Në vitin 2020, znj. Nagavci u propozua dhe u votua për nënkryetare të parë të Kuvendit të Kosovës. Znj. Nagavci poashtu ka udhëhequr delegacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe delegacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Zonja Nagavci mban dy B.A. diploma nga Universiteti i Prishtinës, në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe në Drejtësi, si dhe Master në Shkencat Juridike Ndërkombëtare nga i njëjti universitet. Ajo është bashkëautore e një sërë librash ‘Aventurat tona të verës–Pushimet Magjike’ dhe poashtu ka rishikuar modulin ‘Administrimi efektiv i shkollës dhe udhëheqja e takimeve, ndërtimi i kapaciteteve në udhëheqje arsimore.

Znj. Arbërie Nagavci ka njohuri të mira të gjuhës angleze dhe serbe. Ajo është e martuar dhe ka dy fëmijë.