MASHT

U vendos gurthemeli i shkollës së re në Bradash të Podujevës

30 Maj, 2025

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e objektit të ri shkollor të shkollës fillore të mesme të ulët “Nuhi Gashi” në fshatin Bradash të Komunës së Podujevës.

Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës arsimore në këtë zonë, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e procesit mësimor. Objekti i ri shkollor do të ndërtohet sipas standardeve bashkëkohore dhe do të ofrojë hapësira funksionale për mësimdhënie, mësimnxënie dhe aktivitete të tjera pedagogjike.

Investimi në këtë shkollë është financuar nga Komuna e Podujevës, në kuadër të angazhimeve të saj për përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e sistemit arsimor lokal.

Me këtë rast, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që ka arsimi në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar investimet në infrastrukturën arsimore në të gjitha komunat e vendit. “Arsimi cilësor është çelësi për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë,” theksoi ai.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, u shpreh se ndërtimi i këtij objekti shkollor është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së arsimit. Ajo theksoi se MAShTI mbetet e përkushtuar për të mbështetur projekte të tilla në të gjithë vendin, me synimin që të krijohen kushte të barabarta për të gjithë nxënësit në Republikën e Kosovës.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, shprehu mirënjohje për mbështetjen institucionale dhe theksoi rëndësinë e këtij projekti për komunitetin lokal. Ai potencoi se ndërtimi i shkollës “Nuhi Gashi” në Bradash, dhe projekte të tjera në fshatra si Dobërdoli, janë pjesë e planit të komunës për përmirësimin e kushteve në arsim, duke ofruar ambiente të reja, moderne dhe të sigurta për nxënësit dhe stafin arsimor.

Last modified: 30 Maj, 2025