Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, së bashku me drejtoreshën për Kosovë të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), Rita Gllavica dhe menaxheren e projektit “Intervenimet në arsimin e lartë 2025” (HEI’25), Edita Buçinca, kanë pritur në takim përfituesit e granteve të skemës “Programi i mësimdhënies së bazuar në punë hulumtuese”, e cila u realizua përmes projektit “Intervenimet në arsimin e lartë 2025” (HEI’25).
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast tha se, ky është një moment për të reflektuar për projektet e secilit prej tyre, për të parë se si do t’i shndërrojnë në projekte nga të cilat do të kemi kontribut përtej projektit specifik konkret.
Ministrja Nagavci i inkurajoi përfituesit e granteve për komunikim të vazhdueshëm, kontribut dhe ide të reja në lidhje me zhvillimin e arsimit të lartë, në mënyrë që investimet nga Ministria e Arsimit të kthehen prapa përmes projekteve gjithpërfshirëse.
Ndërsa Rita Glavitza theksoi se dedikimi, interesimi dhe mbështetja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për projektin HEI’ 25, dëshmon përkushtimin MAShTI për të përforcuar kapacitetet e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, për mësimin e bazuar në kërkim dhe shkencë, gjë e cila nënvizon edhe misionin e përbashkët për arsimin e lartë, për të cilën edhe falënderoi MAShTI-n.
Last modified: 29 Nëntor, 2024