Në kuadër të takimit Ndërqeveritar (G2G) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci së bashku me ministren e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Vesna Janevska, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e arsimit.
Ky Memorandum do të jetë i fokusuar në sektorin e arsimit dhe aftësimit profesional dhe në arsimin e të rriturve, duke ditur se këto janë sektorë me rëndësi jetike për ekonominë e çdo vendi.
Ministrja Nagavci me këtë rast tha se, arsimi dhe aftësimi profesional (AAP) është identifikuar si sektor i rëndësisë së veçantë në kuadër të iniciativës ERA (European Education Area) për periudhën 2021-2030.
Ajo theksoi se, Kosova dhe Maqedonia e Veriut bëjnë pjesë në projektin rajonal EQET-SEE (Fuqizimi i Cilësisë së Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Evropën Juglindore), ku dy Republikat tona janë partnere për sigurimin e cilësisë së arsimit profesional të ndërlidhur me nevojat e tregut.
Ministrja Nagavci gjithashtu bëri të ditur se, si Ministri e Arsimit i kemi kushtuar vëmendje të veçantë dhe burime të shtuara njerëzore e financiare AAP-së që nga marrja e mandatit. Gjithashtu tha se, për herë të parë kemi filluar arsimin dual në shkollat tona të mesme profesionale, ku brenda dy vitesh kemi arritur të aktivizojmë 12 profile profesionale.
Last modified: 20 Nëntor, 2024