Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në hapjen e Konferencës dyditore “Fuqizimi i mësimdhënësve me strategji mësimore të bazuara në kompetenca dhe projekte”, të organizuar nga Korpusi i Paqes, në bashkëpunim me komunën e Prizrenit dhe Suharekës.
Qëllimi i kësaj konference është edukimi cilësor nëpërmjet ndërtimit të kapaciteteve lokale dhe fuqizimit të mësimdhënësve me aftësitë e nevojshme për zbatimin e suksesshëm të mësimdhënies së bazuar në kompetenca dhe metodologji të të mësuarit të bazuar në projekte.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, programi i Korpusit të Paqes jep kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e mësimdhënies së gjuhës angleze në Kosovë.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes punojnë si mësimdhënës të gjuhës angleze në shkollat publike në mbarë Kosovën, ku bashkë me mësimdhënësit e Kosovës në shkollat fillore dhe të mesme lehtësojnë aktivitete jashtëshkollore si klube dhe kampe.
Roli i vullnetarëve dhe i programit të Korpusit të Paqes është në linjë të drejtpërdrejtë me politikat arsimore, meqë ofron mbështetje për mësuesit tanë gjatë mësimit në klasë, duke shtuar njëkohësisht ndarjen e praktikave më të mira nga sistemi arsimor amerikan.
Last modified: 26 Tetor, 2024