Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Konferencën kushtuar fushës së shkencave sociale, arsimit dhe inovacionit, organizuar nga Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, me titull “Puna sociale, arsimi, dhe inovacioni në shkencat sociale”.
Ministrja Nagavci ka përgëzuar organizatorët për këtë Konferencë të rëndësishme, pasi shkencat sociale luajnë rol thelbësor në formësimin e reformave sociale dhe ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse për një demokraci të shëndetshme.
Ministrja Nagavci tha se, akademikët dhe hulumtuesit e shkencave sociale luajnë rol kyç në inovacionin edukativo-arsimor, ndërsa politikëbërja bazohet në rezultatet e punës së tyre, krahas kushteve e trendeve, si dhe zhvillimeve të shpejta.
Ndër të tjera, Nagavci tha se, duke ditë që aspekti social prek të gjitha sferat e jetës së qytetarëve të vendit, që nga edukimi në fëmijërinë e hershme e deri tek arsimi tërëjetësor në moshë të rritur, MAShTI ka trajtuar me përkushtim të gjitha fazat e zhvillimit edukativo-arsimor, si në aspektin legjislativ ashtu edhe në aspektin praktik, me veprime konkrete.
Në vazhdën e këtyre angazhimeve, Nagavci ka bërë të ditur se, edukimi në fëmijërinë e hershme është përcaktuar si prioriteti i parë në Strategjinë e Arsimit ’22-’26, është mbështetur fuqishëm zbatimi i mësimit dual në 12 profile, janë liruar nga tarifat semestrale të gjithë studentët dhe janë mbështetur me bursa grupe e kategori studentësh që meritojnë kujdes të veçantë, është ringjallur Këshilli Kombëtar i Shkencës, është votuar në Kuvend Ligji për Agjencinë Kosovare të Akreditimit, duke garantuar cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë.
Ministrja Nagavci gjithashtu ka përgëzuar hulumtuesit për punën e tyre akademike dhe kërkimore, bazuar në vlera dhe integritet, ndërsa tha se ndjehet e lumtur që në Konferencë ka kumtesa nga hulumtues e ligjërues të mëdhenj, kushtuar veprës dhe kontributit të pashoq të profesorit të ndjerë, Fehmi Agani, figura e të cilit është e pakrahasueshme, si nga aspekti intelektual e akademik, ashtu edhe nga ai nacional e patriotik.
Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sporte, Ardian Gola ka theksuar se, konferenca të tilla kanë një rol të dyfishtë, atë të ballafaqimit të dijeve dhe argumenteve tona me perspektiva që mund të vijnë nga universitete të tjera dhe mbi të gjitha marrja e rolit që i takon universitetit si instancë vetreflektuese për shoqërinë.
Në këtë Konferencë kanë folur edhe rektori i Universitetit të Gjakovës, Drilon Bunjaku, dekani, Ferdi Kamberi dhe profesori William Henninger nga Universiteti Northern Iowa, ndërsa të pranishëm kishte përfaqësues të institucioneve shtetërore të vendit dhe akademikë të respektuar nga Kosova, Shqipëria dhe më gjerë.
Last modified: 10 Maj, 2024