MASHT

KRYEMINISTRI KURTI DHE MINISTRJA NAGAVCI VIZITUAN DY NDËRMARRJE TË CILAT PO MBËSHTESIN ZBATIMIN E MËSIMIT DUAL

22 Dhjetor, 2023

Në kuadër të fushatës “Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve”, e udhëhequr nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me mbështetjen e Qeverisë së Gjermanisë dhe donatorëve të tjerë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad vizituan sot ambientet e hoteleve Swiss Diamond dhe Sirius, ndërmarrje këto të cilat po e mbështesin zbatimin e mësimit dual, i cili këtë vit është duke u realizuar në 12 profile, në 21 shkolla të Kosovës.

Fushata për imazhin e AAP-së synon të nxjerrë në pah rëndësinë e AAP-së në shoqëri dhe ndikimin që e ka në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vizita të tilla do të realizohen në vazhdimësi dhe se mësimi dual është mundësi e mirë që nxënësit të njihen me atë që e mësojnë në teori.

Kryeministri Kurti përgëzoi nxënësit të cilët kanë zgjedhur drejtime profesionale, duke ditur rëndësinë që ka arsimi dhe aftësimi profesional në zhvillimin e ekonomik dhe të mirëqenies së përgjithshme të vendit.

Ndërsa, ministrja Nagavci, tha se Ministria e Arsimit është e përkushtuar në zhvillimin e mekanizmave të cilat nxisin aftësimin e të rinje për tregun e punës.

Ministrja Nagavci gjithashtu ka bërë të ditur se nxënësit të cilët janë të angazhuar në ndërmarrje kanë kontrata të cilat mundësojnë pagesë për punën e tyre, ku krahas zhvillimit të shkathtësive në aspektin praktik përfitojnë edhe materialisht, gjithmonë duke kryer suksesshëm punën e tyre.

Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad tha se Gjermania e mbështet zbatimin e mësimit dual në Kosovë, ndërsa foli edhe për përparësitë që kanë këto drejtime në punësimin e të rinjve.

Disa nga nxënësit të cilët ishin duke realizuar mësimin ne vendin e punës thanë se u’a rekomandojnë shokëve dhe shoqeve të tyre që të zgjedhin drejtime të tilla, të cilat mundësojnë punësim në një kohë të shpejtë, krahas mësimeve që marrin në shkollë.

Mësimi dual nënkupton zbatimin në praktikë të mësimeve që nxënësit marrin në klasë, duke kaluar 51 për qind të kohës në ndërmarrje dhe 49 në klasë.

Last modified: 22 Dhjetor, 2023

Comments are closed.