Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në konferencën e mbajtur sot me gazetarë ka prezantuar punën e deritanishme sa i përket çerdheve të ndërtuara dhe atyre që janë në proces të ndërtimit, si një nga prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë.
Ministrja Nagavci gjatë prezantimit të saj ka thënë se, një nga sfidat më të mëdha me të cilat është përballur MAShTI gjatë kësaj periudhe ka qenë mungesa e lokacioneve dhe aspekteve teknike për miratim të projekteve e planeve urbanistike të komunave dhe vështirësitë procedurale.
Megjithatë, ministrja Nagavci ka theksuar se, si Ministri e Arsimit dhe si Qeveri nuk do të ndalemi derisa të sigurohemi që secili fëmijë në Kosovë do të ketë një vend në institucionin ku mund të marrë bazë të fuqishme për zhvillimin dhe aftësimin e mëtutjeshëm për jetën.
Ndër të tjera, Nagavci ka bërë të ditur se, vetëm këtë javë planifikohet vendosja e gurëthemeleve për ndërtimin e 3 çerdheve të reja në: Podujevë, Deçan dhe Prizren për të vazhduar së shpejti edhe me ndërtimin e çerdheve tjera.
Nagavci po ashtu tha se, për 17 vjet nga qeveritë paraprake janë ndërtuar 4 çerdhe, ndërsa nga marrja e mandatit, ajo saktësoi se 4 çerdhe janë të përfunduara, 26 në proces të punës, 6 adaptime të shkollave në çerdhe dhe 8 çerdhe në proces të tenderimit.
Last modified: 27 Nëntor, 2023