MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË SAMITIN E DIASPORËS SHQIPTARE NË TIRANË

27 Nëntor, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare, i cili është mbajtur në Tiranë.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka theksuar se, ky Samit është një pikëtakim shumë i vlefshëm për ne si komb, sepse takime të këtyre përmasave, me shqiptarë anë e mbanë botës, na frymëzojnë dhe na nxisin për të dhënë më shumë si politikanë, si shoqëri dhe si komb.

Ministrja Nagavci tha se, Samiti i Diasporës Shqiptare është platforma më e gjerë dhe më gjithëpërfshirëse që bashkon mendjet e mëdha të shqiptarisë kudo që janë, qoftë nga fusha e shkencës, kultura, politika apo edhe sporti.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka folur edhe për mbështetjen për mësimdhënësit e gjuhës shqipe në diasporën dhe mërgatën tonë, nismat e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë për avancimin në shkencë e inovacion dhe përmirësimin e cilësisë së Arsimit të Lartë, përmes bashkëfinancimit të projekteve shkencore, lansimin e sistemit KRIS, platformë për menaxhimin e informatave mbi kërkimet shkencore dhe hulumtuesve vendorë dhe atyre të diasporë dhe Jetësimin e Rrjetit Kosovar për Hulumtim dhe Edukim – KREN, instrument thelbësor i ofrimit të qasjes së përmirësuar në internet për studentët, studiuesit dhe stafin akademik në Kosovë dhe jashtë saj.

Ministrja Nagavci po ashtu ka bërë të ditur se, me qëllim të ruajtjes dhe avancimit të gjuhës shqipe, Universiteti i Prishtinës çdo vit organizon Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe, i cili mbledh dijetarë, hulumtues dhe albanologë të shquar nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Evropa mbarë.

Last modified: 27 Nëntor, 2023