Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e mbështetur nga Qeveria Gjermane përmes Deutsche Gesellschaft fuer Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH dhe donatorë të tjerë, kanë filluar fushatën “Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve” me qëllim të ngritjes së vetëdijes në shoqëri, për ndikimin që ka Arsimi dhe Aftësimi Profesional, në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij të rastit ka thënë se, popullsia jonë e re është nja nga pasuritë më të mëdha, andaj është detyrë dhe privilegj i yni që t’i pajisim këta të rinjë me mjetet dhe aftësitë e nevojshme për tregun dinamik të punës.
Kryeministri Kurti, gjithashtu tha se, bashkëpunimi i Kosovës me Qeverinë e Gjermanisë e thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërlidhjen e aftësimit profesional me tregun e punës.
Me këtë rast, i ka ftuar prindërit që të inkurajojnë fëmijët e tyre për të ndjekur sistemin dual të mësimit, në mënyrë që të ndërtojnë këtë urë të qëndrueshme dhe të rëndësishme, si për shtetin dhe ekonominë, ashtu edhe për familjen dhe qytetarin.
Ndër të tjera, kryeministri Kurti kërkoi që kjo fushatë të shërbejë për partneritetet, ku kompanitë do të shprehin dhe adresojnë interesat dhe nevojat e tyre te Ministria e Arsimit, por edhe te shkollat përkatëse në komunat e tyre.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me këtë rast theksoi se Arsimi dhe Aftësimi Profesional u jep zgjidhje dhe drejtim shumë ekonomive në botë dhe si i tillë, arsimi dual është një prej mënyrave përmes të cilave Kosova po ecë në hap me vendet e zhvilluara.
Ministrja Nagavci tha se, koncepti i dualitetit i cili dikur shihej me pasiguri dhe rezerva, sot është kthyer në një vlerë sepse shoqëria njerëzore ka evoluar edhe përtej koncepteve të ngurta të së shkuarës dhe tash koncepti dual po shihet si dy pjesë të cilat e plotësojnë njëra-tjetrën.
Nagavci po ashtu tha se, Ministria e Arsimit në gjashtë muajt e fundit ka bërë një varg përgatitjesh për mbarëvajtjen e kësaj iniciative, përfshirë përgatitjen e konkurseve në kordinim me sektorin privat, DKA-të dhe shkollat profesionale, zhvillimin e formatit të kurikulave të arsimit dual, zhvillimin e kurrikulave për klasët 10,11,dhe 12, oranizimin e trajnimeve dhe mbështetjes profesionale për mësimdhënës, si dhe përgatitjen e dokumenteve pedagogjike të nevojshme për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Ministrja i ka ftuar ndërmarrësit që të hapin dyert për nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit që të përkrahin nxënësit në këtë rrugëtim, e në veçanti ftoi nxënësit që të shfrytëzojnë këto mundësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e tyre.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se Kosova dhe Gjermania kanë një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e arsimit. Rohde gjithashtu foli për rëndësinë e arsimit dhe aftësimit profesional në zhvillimin ekonomik të vendit.
Last modified: 21 Nëntor, 2023