Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në hapjen e konferencës ndërkombëtare “Shëndeti mendor në shkolla: Intervenimet e bazuara në evidencë”, e cila është organizuar nga Departamenti i Psikologjisë i Fakultetit Filozofik të Universiteti të Prishtinës.
Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës beson fuqishëm në kapitalin njerëzor në Kosovë, ndërsa foli për punën që është bërë për mirëqenien e fëmijëve.
Kryeministri Kurti, në veçanti theksoi rëndësinë e zhvillimit në fëmijërinë e hershme sa i përket shëndetit mendor, ndërsa tha se roli i institucioneve edukativo-arsimore është i pazëvendësueshëm në këtë drejtim.
Ndërkaq, në fjalën e saj, ministrja Nagavci tha se familja dhe shkolla janë dy shtyllat themeltare në jetën e çdo fëmije. Po ashtu, ministrja theksoi se psikologët shkollorë luajnë rol të madh në trajtimin e aspekteve të shëndetit mendor tek nxënësit. “Në Grantin e Arsimit në nivel vendi, Qeveria ka miratuar 520 pozita për psikologë shkollorë, ku deri tani janë punësuar më pak se 1/3 e tyre”.
Duke folur për punën dhe aktivitetet e Ministrisë në këtë drejtim, ministrja Nagavci, ndër të tjera, përmendi bashkëpunimin me Departamentin e Psikologjisë të UP-së, si dhe punën e Forumit nacional për shkollat miqësore “Rritemi bashkë” të themeluar një vit më parë.
Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci uruan që nga kjo konferencë e rëndësishme të dalin rekomandime të vlefshme për të gjithë hisedarët.
Përgjatë dy ditëve, konferenca vjetore e psikologjisë këtë vit do të tentojë të ofrojë një forum diskutimi për të diskutuar tendencat aktuale, kërkimet e reja dhe të ardhmen në lidhje me shëndetin mendor, shkollën dhe arsimimin.
Me qëllim hartimin e programeve të ndërhyrjes së hershme për promovimin, parandalimin dhe mbështetjen e shëndetit mendor në shkollë, përmes kësaj ngjarjeje ekspertë vendas, rajonalë dhe ndërkombëtarë do të japin kontributin e tyre, do të ndajnë studimet e tyre dhe do të diskutojnë mënyrat më të përshtatshme të ndërhyrjes për kontekstet përkatëse.
Last modified: 18 Maj, 2023