Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ambasadori i BE-së, Tomáš Szunyog kanë vënë gurthemelin e objektit të ri të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe Universiteti i Prishtinës, ndërsa udhëhiqet dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projektit (UNOPS).
Kryeministri Albin Kurti me këtë rast ka thënë se, është kënaqësi e veçantë të jetë pjesë e vënies së gurthemelit të objektit të ri të këtij fakulteti, pasi matematika dhe shkencat tjera natyrore ofrojnë bazën e njohurive të reja në shumë fusha, veçanërisht në fushën e teknologjisë dhe ingjinierisë.
Kryeministri Kurti uroi që ky gurthemel të shënojë një faqe të re të zhvillimit të Universitetit të Prishtinës dhe të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, ndërsa foli edhe për politikat qeveritare për ngritjen e cilësisë në arsim në të gjitha nivelet dhe përmirësimin e bazës ligjore dhe dokumenteve të tjera të rëndësishme të cilat sigurojnë integritet, standarde, kritere dhe performancë të lartë të institucioneve arsimore.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se, kur në një vend vendosen gurthemele për shkolla dhe universitete, është e qartë se po vihen themelet e ndërtimit të një shteti demokratik dhe evropian me të ardhme të sigurt, duke shtuar se, çdo gur që vendoset sot kthehet në shpresë për të rinjtë e këtij vendi.
Ndër të tjera, Nagavci tha se, objekti i ri i fakultetit jo vetëm që do të rrisë ndjeshëm cilësinë e studimeve, por në të njëjtën kohë do të përçojnë mesazhin e përgjegjësisë, angazhimit dhe vullnetit të Ministrisë së Arsimit për ta kthyer vëmendjen te shkencat natyrore.
Ministrja Nagavci gjithashtu foli edhe për punën e palodhshme, shpesh herë në kushte të vështira, të profesorëve të cilët kanë qenë pjesë esenciale e suksesit të këtij fakulteti, të themeluar në vitin 1971, që përfshin pesë departamente: Biologji, Fizikë, Gjeografi, Kimi dhe Matematikë.
Ndërsa, ambasadori i BE-së, Tomáš Szunyog tha se, arsimi cilësor është prioritet i BE-së në Kosovë dhe investimi në vlerë nëntë milion euro është demonstrim i këtij përkushtimi.
Objekti i ri i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore do të ketë një sipërfaqe prej 13 mijë metër katror, me standarde moderne për studim dhe hulumtim, ambient të sigurtë dhe miqësor, duke përfshirë energjinë efiçiente dhe zonat e gjelbëruara.
Last modified: 23 Shkurt, 2023