Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me kryetarin e Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola, këshilltaren e Kryeministrit, Ardita Sinani, këshilltarin e zëvëndëskryeministrit Fatmir Curri, dhe kryetarin në detyrë të KKSH, Ragmi Mustafi zhvilluan vizita në disa institucione edukativo-arsimore dhe organizata të shoqërisë civile në Preshevë.
Delegacioni nga Kosova, fillimisht vizitoi shkollën fillore “Abdullah Krashnica” në Miratoc, ku panë nga afër punën e mësimdhënësve dhe nxënësve të kësaj shkolle, e cila njihet si ndër më të sukseshmet në këtë pjesë.
Me këtë rast, u diskutua për financimin e projekteve për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shtimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Ndërkaq, gjatë vizitës në entin parashkollor “8 Marsi” në Preshevë, përveç takimeve me udhëheqës, edukatore e fëmijë, për fëmijët e moshës parashkollore u shpërnda libri “Mësojmë duke luajtur”.
Në kuadër të aktiviteteve të realizuara në Preshevë, ministrja Nagavci dhe anëtarët tjerë të delegacionit morën pjesë edhe në promovimin e librit për fëmijë “Magjia e jastëkut me zile”, me autore Afërdita Salihu.
Gjatë ditës, ministrja Nagavci ka qëndruar edhe në OJQ “Drejtoria për inkluzionin e personave me aftësi të kufizuara”, ku u njoftua nga afër me punën dhe aktivitetet e tyre. Me këtë rast, ajo takoi edhe 20 asistentë të angazhuar për fëmijë me nevoja të veçanta dhe pa nga afër punën e tyre.
Në të gjitha takimet, ministrja Nagavci përsëriti se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes për realizimin e të drejtave dhe nevojave të qytetarëve në Luginën e Preshevës.
Ministrja përmendi veprimet konkrete, të cilat ka ndërmarrë deri më tani Qeveria e Kosovës në kuadër të mbështetjes financiare, sidomos në fushën e arsimit, ndërsa theksoi se Qeveria dhe Ministria e Arsimit do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë Luginës së Preshevës.
Last modified: 24 Janar, 2023