Me ftesë të Ministrisë së Kulturës, Komunitetit dhe Rinisë (MCCY) të Singaporit, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna përfaqësoi Kosovën në Konferencën Ndërkombëtare për Shoqëritë Kohezive (ICCS).
Konferenca u organizua për herë të dytë me radhë si një ngjarje me rëndësi për dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor, ku morën pjesë mbi 800 liderë, politikbërës, diplomatë, akademikë dhe aktivistë nga 40 shtete të botës.
Këtë vit, u shtjelluan tri tema kryesore: besimi, identiteti dhe kohezioni, me theks të veçantë në mënyrën se si kompleksiteti i identiteteve mund të forcojë komunitetet globalisht.
Konferenca u hap nga Presidentja e Singaporit, Halimah Yakob, ndërsa përfshiu edhe sesion diskutimi me zëvendëskryeministrin e vendit, Lawrence Wong.
Në margjina të konferencës, zëvendësministrja Maloku Bërdyna u takua me Edwin Tong – ministër i Kulturës, Komunitetit dhe Rinisë dhe ministër i dytë për Drejtësi në Singapor, Alvin Tan -ministër i Shtetit për Kulturë, Komunitet dhe Rini, André Azoulay- këshilltar i lartë i Mbretit Mohammed VI të Marokos, dhe Lordin John Alderdice – anëtar i Parlamentit në Irlandën Veriore dhe negociator i Bisedimeve Irlandeze të Paqes.
Në këto takime u diskutua për rëndësinë që kanë arsimi dhe të rinjtë si shtylla transformative në ndërtimin e paqes. Me ministrin Alvin Tan u diskutuan më gjërësisht mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.
Pjesëmarrja e zëvendësministres në këtë ngjarje të nivelit të lartë pason vizitën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në Singapor në qershor të këtij viti, kur bashkë me Presidenten e Singaporit, Halimah Yakob, u përkushtuan për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Last modified: 12 Shtator, 2022