MASHT

Kryeministri Thaçi dhe ministri Buja në zbulimin e bustit të dëshmorit Enver Topalli

19 Maj, 2014

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, vlerësuan lartë figurën e dëshmorit Enver Topalli, busti i të cilit është zbuluar në oborrin e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët, në fashin Greme të Ferizajt, e cila mban emrin e tij.

Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi, me këtë rast tha se, Enveri si veprimtar i përcaktuar fuqishëm në rrugën e drejtë kombëtare, u burgos, u izolua, u torturua, por asnjëherë nuk u thye dhe nuk u ndal.

Kryeministri Thaçi tha se, dëshmori Enver Topalli pati fatin e keq të qëndrimit në burg, në kohën kur lufta kishte shpërthyer dhe okupatori serb po merrte goditje vendimtare nga të dyja anët: Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe NATO.

Kryeministri Thaçi tha se, vrasja e Enverit dhe të burgosurve të tjerë në Burgun e Dubravës, në kohën kur po vulosej e ardhmja e Kosovës, ishte ngjarja më e rëndë e kësaj periudhe.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, nga ana e tij theksoi se, dëshira e vetme e Enver Topallit ishte që të vdiste për Kosovën.

“Enveri shkoi në pavdekësi dhe ne të tjerëve na la të jemi të vdekshëm. Është vështirë të flasësh për shokun, mikun, bashkëluftëtarin dhe bashkëveprimtarin, sepse më është ngurtësuar një pjesë e zemrës, kur shoh se sot Enverin e kemi në bronz”, tha minisri Buja.

Ministri Buja, uroi nxënësit e kësaj shkolle që të dalin të suksesshëm nga kjo derë e diturisë, e cila mbanë emrin e këtij dëshmori të lirisë.

Kryetari i Komunës se Ferizajt, Muharrem Sfarqa tha se, emrat sikurse Enver Topalli dhe dëshmorët e tjerë i japin nder Ferizajt dhe Kosovës. Sfarqa vlerësoi lartë veprimtarinë e dëshmorit në rrugën e gjatë drejt lirisë.
Djali i Enverit, Loriku tha se fizikisht nuk e mban mend të atin, ashtu siç e kujtojnë bashkëveprimtarët e tij, porse ai është me të në çdo moment dhe vendim të rëndësishëm të jetës.

Për veprimtarinë dhe aktivitetin e heroit Enver Topalli për çështjen kombëtare folën edhe veprimtari Adem Demaçi, Ibush Vishi dhe bashkëluftëtarë të tjerë.

Enver Topalli u vra më 19 maj 1999, së bashku me qindra të burgosur të tjerë në burgun e Dubravës. Ai konsiderohej njohës i jashtëzakonshëm i rrethanave politike dhe ekonomike të Kosovës.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.