MASHT

Ministri Buja priti nxënës të suksesshëm nëpër garat ndërkombëtare

15 Maj, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, ka pritur sot në takim disa nxënës nga kolegji “Mehmet Akif”, të cilët kanë fituar çmime të para me projektet e tyre nëpër gara ndërkombëtare në ShBA, Afrikë dhe Azi.

Ministri Buja, me këtë rast ka theksuar se, arritja e deri te çmimet e para në gara ndërkombëtare të dijes janë dëshmi se Kosova është në rrugë të mirë sa i përket përgatitjes së gjeneratave të reja.

Ministri Buja tha se, rezultatet e këtyre nxënësve flasin më së miri për rëndësinë që po i kushtohet arsimimit cilësor.

“Unë ju shoh juve nesër si udhëheqës të vendit. Nëse ne arrijmë, ashtu siç keni depërtuar ju, që me dijen tonë të pushtojmë arenën e dijes, do të ishte mrekulli. Ju them që të arriturat tona në arsim janë vërtetë të prekshme, të dukshme, evidente dhe kjo na bënë që seriozisht të ecim përpara”, u shpreh ministri Buja.

Ministri Buja, po ashtu vlerësoi se, MAShT është duke punuar që Kosova të jetë anëtare legjitime e procesit të Bolonjës dhe se hyrja më e mirë në Bolonjë është hyrja përmes rrugëve të dijes.

Drejtori i kolegjit “Mehmet Akif”, Jusuf Karabina tha se edhe tri grupe të tjera do të garojnë në gara ndërkombëtare brenda këtij viti dhe se pret që të kthehen nga atje me medalje të arta.

Ndërsa, nxënësja Arrita Beqa tha se, pjesëmarrja ishte eksperiencë shumë e mirë, për arsye se është njoftuar me kultura të reja dhe me mënyrën se si funksionojnë shtetet e zhvilluara.

“Ne, përveq që kemi shkuar për të prezantuar projektin dhe dijen tonë, kemi bërë edhe një lloj lobimi të shtetit Kosovës. Kemi prezatuar aftësitë dhe ambicjet tona si shtet dhe deri në fund të olimpiadës të gjithë pjesëmarësit kanë arritur të marrin informata thelbësore për Kosovën”, u shpreh ajo.

Nxënëset Arrita Beqa dhe Deniza Peja kanë fituar medaljen e artë me projektin “Shfrytëzimi i plehrave organike të peshkut si polenizues” në Olimpiadën e Projektit për Mbrojtjen e Inxhinieringut të Energjisë Botërore.

Nxënëset Bardha Azemi dhe Zana Demiri kanë fituar medalje të argjendtë me projektin “Adsorbimi i C6 nga procedimi i mbetjeve të rrezitjes së lëkurës përmes shfrytëzimit të baltës xeherore të ferronikelit” në Olimpiadën e Artë të Projektit Mjedisor të Klimës Ndërkombëtare.

Ndërsa, nxënësit Behar Hyseni dhe Drijon Hasani kanë fituar po ashtu medaljen e artë me proejktin “Heqja e monoksid karbonit në hemoglobinë në cilësinë e biofilterit” në Olimpiadën e Shkencës Ndërkombëtare.

Last modified: 1 Shtator, 2022