MASHT

Ministri Buja takoi drejtorin gjeneral për Arsim dhe Kulturë të Komisionit Evropian

20 Qershor, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, është takuar sot në Bruksel me drejtorin gjeneral për Arsim dhe Kulturë të Komisionit Evropian, z. Xavier Prats Monné, me të cilin ka biseduar për sfidat dhe progresin e arritur në sektorin e arsimit në Kosovë.

Ministri Buja, gjatë këtij takimi, e ka informuar z. Monné për përgatitjet që ka bërë Kosova, respektivisht Ministria e Arsimit, për të aplikuar në Bolonjë. “MAShT ka emëruar Grupin Drejtues nga janari i vitit 2013 për të përgatitur aplikimin për anëtarësim në Bolonjë, i cili grup ka përgatitur draft raportin e aplikimit, që do të dorëzohet në vjeshtë të këtij viti”, tha ministri Buja dhe theksoi se të gjitha vendet kryesuese dhe bashkëkryesuese të procesit të Bolonjës janë kontaktuar vitin e kaluar dhe janë informuar rreth planit të Kosovës, si dhe është kërkuar mbështetja e tyre.

Në këtë takim, është folur për mundësinë e pjesëmarrjes së plotë të Kosovës në programin e BE-së për arsim “Erasmus +”. Ministri Buja tha se Kosova është e përkushtuar të marrë pjesë në tërë programin e “Erasmus +”, ndërsa theksoi se vendi ynë aktualisht merr pjesë pjesërisht në këtë program (vetëm në skemat e ish-Programit Tempus, dhe të mobilitetit në arsimin e lartë).

Nga ana tjetër, drejtori gjeneral për Arsim dhe Kulturë i Komisionit Evropian, z. Xavier Prats Monné, ka përshëndetur progresin që është arrit në sektorin e arsimit në Kosovës, si shtet i ri. Po ashtu, ai ka siguruar për mbështetje të mëtutjeshme në anëtarësimin e plotë të Erasmus +, si dhe në projekte tjera që financohen nga Komisioni Evropian.

Ndryshe, ministri Buja po qëndron në vizitë zyrtare në Bruksel, ku po merr pjesë në takimin ministror të Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim. Në këtë takim dyditor, po diskutohet për mësimdhënien në shekullin 21, edukimin dhe trajnimin e mësimdhënësve në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me AAP dhe tema të tjera me rëndësi për këtë sektor të arsimit.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.