MASHT

Ministri Bajrami foli për reformat në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Takimin e 10-të shkencor ndërkombëtar në Shkup

28 Gusht, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të Takimit të 10-të vjetor shkencor ndërkombëtar, i cili ka filluar sot në Shkup dhe si temë bosht këtë vit ka bashkëpunimin shkencor mbarëkombëtar në funksion të përparimit e të mirëkuptimit ndërkombëtar. 

Në këtë aktivitet shkencor, i cili organizohet nga Instituti Alb-Shkenca, ministri Bajrami tha se këto takime kanë qenë dhe mbeten një mundësi shumë e mirë që të shohim se çka mund të bëjmë ne për shkencën dhe çka mund të bëjë shkenca për shtetin. 

Ministri Bajrami përmendi disa objektiva për të ngritur standardet e hulumtimit shkencor. Si objektivë të parë, ai theksoi rritjen e fondeve për shkencën nga ana e qeverive, sepse theksoi se fondet tona në këtë drejtim ende janë të vogla dhe nuk mund të presim hulumtime me standarde të larta.



Ministri tha se çdo reformë e sistemit të arsimit të lartë dhe edukimit shkencor kërkon ndërlidhjen e kërkimit shkencor me arsimin e lartë, por edhe ndërlidhjen e kërkimit shkencor me zhvillimin ekonomik. 

“Po ashtu, duhet të përfshihemi në thesarët e mëdha evropian shkencor si projekti Horizon 2020, që është një mundësi shumë e madhe që shtetet tona të përfitojnë fonde për të stimuluar hulumtuesit e rinj, të cilët pastaj të provojnë me hulumtuimet e tyre të hyjnë në hapësirën evropiane dhe të stimulojmë bashkëpunimin”, tha ministri Bajrami dhe theksoi nevojën e bashkëpunimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë për projekte të përbashkëta, me të cilat do të aplikohej për fonde evropiane.

Ministri Bajrami, gjatë këtij takimi shkencor mbajti edhe një fjalim për reformën e arsimit të lartë. “Në Republikën e Kosovës tani kemi disa forma, me të cilat po stimulojmë shkencëtarët e rinj. Jemi duke i rishikuar standardet dhe duke i forcuar ato”, tha ministri dhe theksoi se me Ligjin e ri për Arsimin e Lartë do të vendoset kërkimi shkencor në universitete. 



Duke folur për Ligjin për Arsimin e Lartë, për të cilin ka përfunduar debati dhe është dërguar në Qeveri për miratim, ministri Bajrami ndër të tjera theksoi se ky ligj, ku janë vendosur standarde të larta të cilësisë, është bërë nga vet universitetet. Ndërsa, ai foli edhe për Ligjin për Profesionet e Rregulluara, si një nga mekanizmat për sigurimin e cilësisë.

Edhe ministri i Arsimit i Maqedonisë, z. Abdilaqim Ademi theksoi nevojën e bashkëpunimit edhe më të madh mes vendeve tona në fushën e arsimit të lartë dhe shkencës.

Në Takimin e 10-të të Alb-Shkencës, i cili do të zhvillojë punimet deri më 30 gusht, po marrin pjesë rreth 300 studiues dhe hulumtues nga vende të ndryshme. 

Last modified: 1 Shtator, 2022