MASHT

Ministri Bajrami emëron katër anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

23 Shtator, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Prof. Dr. Arsim Bajrami, në bazë të dispozitave të nenit 18 të Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, ka emëruar katër (4) anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Anëtarët e emëruar të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë:


Prof. Dr. Ismet SALIHU,
Univ. Prof. Dr. Sigurd HÖLLINGER,
Prof. Dr. Shefkije ISLAMAJ,
Prof. Dr. Isa QOSJA.

– Prof. Dr. Ismet Salihu, jurist, profesor ordinar. Ai është angazhuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës nga viti 1967 në fushën e të drejtës penale. Dr. Salihu ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik në Zagreb, në Universitetin e Sorbonës në Paris dhe ka përfunduar doktoratën në Fakultetin Juridik në Lubjanë. Në vitin 1987 ka përfunduar studimet e postdoktoratës në Universitetin e Sorbonës në Paris. Ai ka qenë kryetar i Shoqatës për të Drejtën penale dhe Kriminologji të Kosovës dhe prej vitit 1987-1995 ka qenë kryeredaktor i revistës “E drejta”. Në vitin 1990 ka qenë anëtar i Komisionit kushtetues të Kosovës dhe ka marr pjesë në përpilimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në dy mandate ka shërbyer si Dekan i Fakulteti Juridik. Ai ka marrë pjesë aktive në grupin punues në përpilimin e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale, Ligjit Penal për të Mitur, Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe në shumë ligje të lëmive tjera. Për punën katërdhjetëvjeçare pedagogjike dhe shkencore në ngritjen e kuadrove të juristëve të Kosovës si dhe kontributin në ndërtimin e sistemit të drejtësisë së Kosovës i janë ndarë shumë mirënjohje. Dr. Salihu është autor i rreth 50 punimeve shkencore dhe profesionale nga lëmia penale.

– Prof. Dr. Sigurd Höllinger është këshilltar i lartë i Ministrisë Federale të Shkencës, Hulumtimit dhe Ekonomisë të Republikës së Austrisë. Ai ka shërbyer si konsulent i lartë i Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian për fushën e arsimit të lartë. Nga viti 2008 ka shërbyer si konsulent për arsim të lartë i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës. Dr. Höllinger ka shërbyer për 19 vite si Drejtor Gjeneral për Arsim të Lartë në Ministrinë Federale të Shkencës, Hulumtimit dhe Ekonomisë të Republikës së Austrisë (1986-2005). Aktualisht, ai është Drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Republikën e Austrisë. Dr. Höllinger ka një karrierë të gjatë të angazhimit dhe ekspertizës në fushën e arsimit të lartë, në kontributin e tij në zhvillimin e autonomisë universitare dhe Deklaratës së Bolonjës dhe në veçanti në kontributin e tij për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë. Së fundi, ka qenë ndër ekspertët ndërkombëtar kryesor në procesin e rishikimit të Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës.

– Prof. Dr. Shefkije Islamaj është këshilltare shkencor në Institutin Albanologjik ku është e angazhuar nga viti 1977. Ajo ka qenë ligjëruese në Fakultetin e Arteve Dramatike (2001-2004). Gjatë viteve 1992-2002 ka qenë udhëheqëse e Degës së Gjuhës në Institutin Albanologjik. Nga viti 2006 është kryeredaktore e revistës shkencore “Gjurmime albanologjike” dhe anëtare e redaksisë së revistës “Gjuha shqipe” të Institutit Albanologjik. Ajo është nënkryetare e Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës dhe anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ajo ka shërbyes si Kryesuese e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2014-2015). Dr. Islamaj është autore e mbi 200 njësive bibliografike – studime, trajtesa, artikuj, recensione të botuara në revistat shkencore të Kosovës, Shqipërisë e më gjerë.

– Prof. Dr. Isa Qosja është regjisorë dhe autor i disa filmave artistik dhe dokumentar. Ai ka një përvojë të gjatë si pedagog në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës ku ka ligjëruar në degën e regjisë së filmit. Dr. Qosja është nderuar me çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare për krijimtarinë e tij artistike. 

Last modified: 31 Gusht, 2022