MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Doctor Honoris Causa” ish- kryeministrit Janez Jansha

6 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Doctor Honoris Causa”, ish- kryeministrit të Sllovenisë, z. Janez Jansa, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, demokratizimin e Ballkanit dhe fuqizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Sllovenisë.

Me rastin e ndarjes së këtij çmimi nga Kolegji Universum, në 10 vjetorin e themelimit, është vlerësuar figura e z. Jansa dhe qëndrimi i tij si ish- kryeministër, karshi çështjeve të rëndësishme për Kosovën.

Ministri Bajrami, në fjalën e tij theksoi se, ky personalitet i shquar ishte një nga ideatorët e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke njohur situatën dhe detajet e saj.

Ministri Bajrami po ashtu tha se, Kosova dhe Sllovenia kanë ndërtuar një miqësi të përhershme dhe kanë një raport të veçantë të bashkëpunimit ndërshtetërorë.

Ndërsa, z. Janez Jansa tha se ndjehet i nderuar me ndarjen e këtij çmimi, ndërsa porositi të pranishmit të jenë krenar me të arriturat e vendit, por edhe të shfrytëzojnë rininë dhe energjinë positive për të ecur përpara. 

Last modified: 31 Gusht, 2022