MASHT

U vu gurëthemeli për ndërtimin e Konviktit nr.VIII në Qendrën e Studentëve

15 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, së bashku me drejtorin e Qendrës së Studentëve, z. Fatmir Sfishta dhe kryetarin e Parlamentit të Studentëve, z. Egzon Daku, kanë vënë sot gurthemelin për ndërtimin e Konviktit nr.VIII në Qendrën e Studentëve të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
 
Ministri Bajrami e vlerësoi këtë ditë si ditë veçantë për Universitetin dhe Ministrinë e Arsimit, sepse tha se ky konvikt do të rrisë kapacitetin e strehimit edhe për 150 dhoma moderne.
 
“Të gjithë kemi obligim që të punojmë për studentët tanë, t’ju ofrojmë kushte të mira për studim, por edhe për banim, për shkak se Universiteti është i studentëve”, tha ministri Bajrami, pasi që përmendi nevojën për edhe më shumë konvikte për të plotësuar kërkesat e studentëve për banim në Qendrën e Studentëve.
 
“Të fokusohemi të gjithë që të ofrojmë stabilitet, qetësi dhe rend akademik në Universitetin e Prishtinës, i cili është më i madhi në rajon për nga numri i studentëve. Të gjithë duhet të punojmë dhe të vetëdijësohemi se Universiteti ekziston për shkak të studentëve”, u shpreh ministri Bajrami, ndërsa theksoi se studentëve duhet t’iu ofrojmë arsimim cilësor dhe punësim.



Drejtori i Qendrës së Studentëve, z. Fatmir Sfishta, falënderoi Qeverinë e Kosovës që ka mundësuar që brenda 5 viteve të ndërtohen tri konvikte të reja me hapësira moderne të akomodimit.
 
Ndërsa, kryetari i Parlamentit të Studentëve, z. Egzon Daku theksoi se me ndërtimin e konviktit të ri do të zbutet kërkesa për banim në konvikte.
 
Pas ceremonisë së venies së gurthemelit, ministri Bajrami ka ngrënë drekë me studentët në Mensën e Qendrës së Studentëve.

Last modified: 31 Gusht, 2022