Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë z Arsim Bajrami, kryetari i Bordit të Kolegjit AAB, z. Lulzim Tafa dhe xhudistja kampione, znj. Majlinda Kelmendi (studente e këtij kolegji), përuruan objektin e ri të Kolegjit AAB në Prishtinë.
Me këtë rast, ministri Bajrami e vlerësoi shumë të rëndësishëm promovimin e këtij objekti që plotëson të gjitha standardet evropiane për mësim cilësor.
“Kjo godinë do t’iu mundësojë studentëve tanë që të përfitojnë nga një mësimdhënie cilësore dhe të avancuar”, tha ministri, i cili më pas theksoi se Kolegji AAB në Kosovë paraqet konkurrencë dinjitoze të arsimit publik.
“Qeveria e Kosovës, do të zhvillojë politika të barazisë së plotë të sektorit publik dhe sektorit privat dhe ne besojmë në rritën e këtij institucioni, si një instrument të rëndësishëm të ngritjes së cilësisë në universitetet tona“, tha ministri.
Ministri Bajrami theksoi nevojën për universitete e kolegje të forta. “Kemi nevojë të ndërtojmë standarde të larta të mësimdhënies dhe të cilësisë, ndërsa ky objekt impozant që sot po promovojmë ofron të gjitha kushtet për studentët, profesorët, për një mësimdhënie interaktive, moderne dhe ndjehemi krenar për këtë mundësi”, tha në fund ministri Bajrami.
Last modified: 31 Gusht, 2022