MASHT

Ministri Buja takon përfaqësuesit e SBAShK-ut

3 Shtator, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, është takuar sot me përfaqësuesit e SBAShK-ut, me të cilët ka diskutuar për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor, kontratën kolektive, si dhe sistemimin e mësimdhënësve.

Ministri Buja tha se edhe këtë vit shkollor MAShT ka bërë të gjitha përgatitjet për një fillim të mbarë dhe kjo falë angazhimit të të gjithëve akterëve.

“MAShT në vazhdimësi po angazhohet për përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe përmirësimin e gjendjes materiale të mësimdhënësve dhe ky do jetë prioritet i yni edhe në të ardhmen”, ka thënë ministri Buja.


Ministri Buja dhe përfaqësuesit e SBAShK-ut kanë diskutuar edhe për sistemimin e rreth 600 mësimdhënësve, pas heqjes së klasës së 13-të, me ç’rast ministri Buja tha se deri më tani janë sistemuar pothuajse të gjithë mësimdhënësit, me përjashtim të një numri të vogël (30), për të cilët bashkërisht edhe me organet tjera të arsimit do të bëhet një zgjidhje.

Ndërkaq, kryetari i SBAShK-ut, z.Rrahman Jasharaj, ka uruar ministrin Buja për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor dhe ka falënderuar atë për gatishmërinë e përhershme për bashkëpunim dhe shqyrtim të kërkesave të SBAShK-ut.

“Me gatishmërinë tuaj që të ofroni zgjidhjet e duhura në arsimin e Kosovës, po e ndihmoni mbarëvajtjen e procesit arsimor në përgjithësi”,- tha z Jashari.

Me këtë rast, z. Jasharaj kërkoi që të plotësohet Udhëzimi Administrativ (UA), që ka të bëjë me përzgjedhjen e drejtorëve dhe të arsimtarëve, duke kërkuar që edhe sindikalistët të jenë prezent, në cilësinë e vëzhguesit, së bashku me përfaqësuesit e DKA-ve, me rastin e intervistimit të kandidatëve për drejtor apo mësimdhënës.

Ministri Buja dhe përfaqësuesit e SBAShK-ut gjithashtu janë dakorduar që të vazhdohet të punohet në Kontratën Kolektive.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.