MASHT

Ministri Bajrami ftoi të gjitha palët që të krijojnë stabilitet në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë

22 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, në një konferencë për media ka folur rreth zhvillimeve të fundit në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë dhe vendimin për shfuqizimin e vendimit të Këshillit Drejtues për shkarkimin e rektorit, z. Ramadan Zejnullahu.
 
Ministri Bajrami fillimisht ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për pranimin e vendit tonë në UNESCO, të cilin e vlerësoi si lajm shumë të gëzueshëm. Ai përmendi edhe lajmin tjetër të rëndësishsëm për rekomandimin për nënshkrimin e MSA-së.
 
“Në këto ditë shumë të gëzueshme kur po trasojmë rrugën e integrimit evropian, ne kemi shqetësime të përbashkëta për gjendjen jo të mirë dhe zhvillimet shqetësuese në Universitetin e Prishtinës dhe kemi ndarë këto shqetësime me profesorët dhe studentët,  sepse MAShT dhe Qeveria e Kosovës janë të vendosur për të krijuar një stabilitet funksional të Universitetit. Ky vit është shpallë si vit i ngritjes dhe demonstrimit substancial të cilësisë”.
 
Ministri Bajrami përmendi mbështetjen që i është bërë Universitetit të Prishtinës dhe rektorit për reformat, si dhe për përpjekjet për ndërtimin e standardeve të larta të cilësisë dhe rendit akademik.


 
“Interesi publik dhe i studentëve është që në Universitet të ketë zgjidhje të problemeve me marrëveshje dhe jemi kundër cilësdo krizë dhe sidomos kundër logjikës së shkarkimeve, sepse kjo logjikë gjithmonë e ka penguar Universitetin e Prishtinës”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se kemi punuar shumë që këtë Universitet ta mbështesim me donatorë dhe i kemi siguruar mbështetje të fuqishme.
 
Vendimin për shkarkimin e rektorit, ministri Bajrami e vlerësoi të përshpejtuar dhe të pamatur dhe tha se ky vendim nuk do ta nxirrte Universitetin nga kriza, por do ta fuste në një krizë edhe më të thellë.
 
“Duke qenë si ministri përgjegjëse për ligjshmërinë e punëve të organeve të Universitetit, mbi bazën e Ligjit për Procedurën Administrative dhe Ligjit për Arsimin e Lartë, ne kemi marrë masa për vendosjen e ligjshmërisë”, tha ministri dhe theksoi se gjatë marrjes së vendimit për shkarkimin e rektorit janë vërejtur shkelje substanciale procedurale, sepse në bazë të Statutit të Universitetit, peticioni i 28 senatorëve, do të duhej paraprakisht të votohej në Senat.
 
Prandaj, ministri Bajrami e ftoi rektorin Zejnullahu që të kthehet në detyrën e tij dhe të vazhdojë punën, ndërsa iu bëri thirrje profesorëve dhe studentëve dhe të gjitha palëve që të vazhdojnë punën me ngulm për të krijuar stabilitet në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Last modified: 31 Gusht, 2022