MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në Konferencën për Vlerësimin e Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2011-2016 dhe fillimin e punës për PSAK-un 2017-2021

26 Nëntor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në Konferencën për Vlerësimin e Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë (PSAK) 2011-2016 dhe fillimin e punës për PSAK-un 2017-2021.

Ministri Bajrami me këtë rast ka theksuar se Plani Strategjik i Arsimit 2011- 2016 është rrugë që është përcjellë me sfida dhe objektiva, sa i përket përmirësimit të sistemit arsimor në Kosovë.

Ministri Bajrami e ka vlerësuar si të suksesshëm procesin e gjithpërfshirjes në sistemin e edukimit, në të gjitha nivelet  dhe përmirësimin e kushteve për mësimdhënie dhe mësimnxënie, në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim.

“Po sublimojmë rezultatet e Planit Strategjik  të Arsimit në Kosovë 2011- 2016, në kohën kur ne po vendosim kornizën e re të Planit Strategjik 2017- 2021. Natyrisht kjo kornizë është shumë e rëndësishme sepse ne po e shohim rrugën që kemi kaluar, një rrugë plotë sfida dhe plotë objektiva për të përmirësuar sistemin arsimor në të gjitha nivelet dhe për të ndërtuar bazat e një sistemi të qëndrueshëm arsimor, të bazuar në standarde evropiane, të cilat do të mundësojnë edhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, theksoi ministri Bajrami.

Ndër të tjera, ministri Bajrami ka folur edhe për arsimin profesional dhe vendosjen e mësimit dual në shkolla, pajisjen me literaturë të nevojshme dhe lidhjen e shkollave me bizneset, si mundësi për forcimin e këtij sektori të arsimit.

Në këtë konference ministri i arsimit përmendi edhe ndryshimin e legjislacionit sa i përket autonomisë së plotë të universiteteve dhe fuqizimit të tyre, sidomos fakulteteve të shkencave ekzakte.

Ministri Bajrami ka thënë se vlerësimet e kësaj konference do të jenë të rëndësishme për hartimin e Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017- 2021 dhe përcaktimit të politikave të Qeverisë së Kosovës, sa i përket zhvillimit të mëtejshëm të arsimit.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.