Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z Arsim Bajrami, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët “ Punësimi dhe Migrimi”, të organizuar nga Ministria e Arsimit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe GIZ- i. Në këtë tryezë morën pjesë Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi dhe ambasadorja e Gjermanisë znj. Angelika Viets .
Ministri Bajrami, me këtë rast, vlerësoi rëndësinë e organizmit të kësaj tryeze që do të trajtojë çështjen e punësimit, migrimit dhe reintegrimit të të rinjve, sfidë kjo për të cilën ministri tha se, do të angazhohemi që ta përballojmë përmes sigurimit të një sistemi të mirë të edukimit dhe arsimimit.
“Vendi ynë ka një popullsi të re, e cila fatkeqësisht ende nuk ka perspektivë te punësimi, ndërsa MAShT po zhvillon projekte strategjike, të cilat i kemi quajtur Arsim Cilësor për Punësim, me synimin që përmes arsimit cilësor profesional, të sigurojmë punësim”, tha ministri Bajrami dhe falënderoi Qeverinë Gjemane dhe përfaqësuesit e GIZ-it për kontributin e dhënë në këtë drejtim.
Në vazhdim, ministri Bajrami tha se jemi duke punuar në një projekt të madh me Bashkimin Evropian që ka të bëjë me studimin e tregut të punës dhe përshtatjen e sistemit të arsimit me nevojat e tregut të punës, ndërsa theksoi se jemi përcaktuar për modelin gjerman të arsimit profesional.
Ministri Bajrami tha se komuniteti i bizneseve ende nuk po i përgjigjet nevojave të nxënësve për punë praktike dhe shtoi se si Qeveri do të shikojmë se çfarë lehtësi do të mund të krijojmë për kompanitë që marrin nxënës në punë praktike, ku edhe mund të punësohen një numër i konsiderueshëm i tyre.
Ministri Bajrami theksoi se çështja e migrimit dhe punësimi, kërkonë një plan strategjik, ndërsa tha se interes i Qeverisë së Kosovës është reintegrimi i të rinjve të cilët kanë migruar.
Last modified: 30 Gusht, 2022