Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe nënkryetari i komunës së Podujevës, z. Nexhmi Rudari përuruan objektin e shkollës fillore në fshatin Halabak të komunës së Podujevës.
Me këtë rast, ministri Bajrami është shprehur se ndjehet i lumtur që brenda një afati të shkurtër kohor u ndërtua shkolla e re, e cila ishte djegur kohë më parë.
“Është kjo një ditë feste për fshatin Halabak dhe Ministrinë e Arsimit, sepse sot po përurojmë një shkollë të re dhe moderne që iu ofron kushte për mësim cilësor fëmijëve, që janë shpresa e Kosovës”, tha ministri Bajrami.
Ministri theksoi se nuk ka gjë më të shenjtë se sa të punojë dhe të veprojë, që këta nxënës të kenë ambiente të mira shkollimi dhe të ruhen nga cilido rrezik, të cilin ata e kanë pasur çdo ditë duke udhëtuar për në shkollën më të afërt. “Kjo tregon përkushtimin e Ministrisë dhe Qeverisë, për të punuar për komunitetin dhe nxënësit”, theksoi ai.
“Sot po e hapim derën e kësaj shkolle, cila do të ofrojë mësim të avancuar për këta nxënës. Ne do të vijmë këtu sërish për të parë se si punohet në këtë shkollë, se si mbahet mësimi, sa janë të kënaqur nxënësit, prindërit, sepse nuk është reformë vetëm ndërtimi i shkollave, por është edhe mësimdhënia cilësore”, tha ministri Bajrami.
Ministri Bajrami theksoi se kësaj shkolle do t`i dhurojmë edhe pajisje elektronike dhe materiale tjera shkollore argëtuese, në mënyrë që shkolla jonë të mos jetë vetëm shkollë ku mbahet mësimi, por shkollë ku edukohet dhe ndërtohet personaliteti i fëmijëve.
Në fund, ministri Bajrami, i dhuroi shkollës një llaptop dhe videoprojektor, ndërsa ka uruar që nxënësit e kësaj shkolle të kenë sukses dhe një ditë të bëhen qytetarë të vyeshëm dhe të ndikojnë në zhvillimin dhe perspektivën e vendit.
Ndryshe, investimet për ndërtimin e shkollës i ka bërë MAShT-i, ndërsa objekti ka 5 dhoma mësimi per nxënësit fillorë, 1 dhomë mësimi për fëmijët parafillor.
Last modified: 30 Gusht, 2022