MASHT

Ministri Bajrami zbuloi shtatoren e akademikut dhe historianit të shquar, Prof. Dr. Ali Hadri në Kompleksin Universitar të UP- së

2 Mars, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës, z. Fehmi Rexhepi, në një ceremoni solemne zbuluan shtatoren e akademikut dhe historianit të shquar, Prof. Dr. Ali Hadri, në Kompleksin Universitar të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Ministri Bajrami, me këtë rast, ka vlerësuar lartë figurën e dijetarit të shquar, Ali Hadri, duke thënë se, kontributi i tij për çështjen kombëtare është i jashtëzakonshëm.

Ministri Bajrami tha se, akademiku i ndjerë Ali Hadri qëndron fuqishëm dhe me dinjitet në panteonën e personaliteteve më të shquara intelektuale, shkencore dhe atdhetare, të shekullit 20 në gjithë hapësirën kombëtare.

“Është nder i rrallë për mua që në cilësinë e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të marrë pjesë në një përvjetor të rëndësishëm, të njeriut të rëndësishëm, dijetarit, studiuesit, historianit dhe shkencëtarit të madh, Ali Hadri”, u shpreh ministri Bajrami.

Duke folur për punën e Prof. Dr. Ali Hadri si pedagog në Degën e Historisë, ministri Bajrami tha se, kontributi i tij për themelimin, drejtimin dhe zhvillimin e Institutit të Historisë përbën një nga kulmet e përpjekjes së tij jetësore.

Ministri Bajrami vlerësoi lartë guximin intelektual, kombëtar e shkencor të profesor Ali Hadrit, për t’iu kundërvënë regjimit të atëhershëm përmes arsimimit dhe punës shkencore.


 
“Profesor Ali Hadri ishte i bindur se përmes arsimimit dhe punës së tij shkencore do të dëshmoheshin historia dhe vlerat tona kombëtare, si pjesë e vlerave universale njerëzore. Vendosja e shtatores së akademik Ali Hadrit është përjetimi më kuptimplotë i veprës dhe emrit të tij. Është moment krenarie dhe përjetimi për njerëzit e rrallë, nga të cilët kemi mësuar aq shumë për historinë dhe të kaluarën tonë”, tha ministri Bajrami.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës, Prof. Dr. Fehmi Rexhepi tha se , në ditën e shënimit të 88- të vjetorit të lindjes, po inaugurohet kjo shtatore impozante e akademikut dhe profesorit të shquar, themeluesit të historiografisë dhe drejtorit të parë të Institutit të Historisë në Prishtinë.

Last modified: 30 Gusht, 2022