Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në konferencën për lansimin e projektit “Pakti Evropian për Rininë në Kosovë”, i cili është u promovua sot nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli dhe është projekt i Bashkimit Evropian, i cili ka për qëllim fuqizimin e partneriteteve biznes-arsim për punësueshmëri dhe përfshirje të rinisë.
Ministri Bajrami e vlerësoi shumë të rëndësishme këtë ngjarje që iu jep mundësi të rinjve të kyçen në Paktin Evropian për Rininë, që është një mundësi e tregimit të aftësive të rinisë sonë për të qenë evropian të rinj dhe të barabartë.
“Padyshim që rinia e Kosovës është një rini, e cila meriton të ketë respekt, të ardhme dhe meriton që ne t’i qasemi me shumë seriozitet edhe edukimit të rinisë, edhe tranzicionit demokratik që duhet ta bëjmë përmes promovimit të një metaliteti të ri”, tha ministri Bajrami.
Ministri Bajrami theksoi se, roli i edukimit është kyç që krijimin e një rinie kompetente dhe përmes sistemit të edukimit duhet të krijojmë një frymë të ndërmarrësisë, të menaxhimit dhe të guximit për të bërë biznes.
“Ajo që po bën MAShT në kuadër të përpjekjeve për të ngritur cilësinë e edukimit është që edukimi të lidhet me ekonominë. Në shekullin 21, edukimi është investim në zhvillimin ekonomik”, tha ministri Bajrami dhe theksoi se kemi lansuar shumë projekte me Bashkimin Evropian, të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë drejtim.
Duke folur për projektin Pakti Evropian për Rininë do, ministri tha se, të jetë një partner shumë i rëndësishëm i MAShT dhe Ministria do ta mbështesë projektin që të punojmë me secilën shkollë e universitet që të hapet ndaj rinisë, që të bëj lidhjen mes shkollës, bizneseve dhe kompanive dhe që të mundësojmë që nxënësit tanë edhe të marrin arsim të nevojshëm profesional, por edhe shkathtësi dhe kompetenca gjatë shkollimit.
“Ne po punojmë që në shkollat tona të kemi ato kurrikula që i kërkon biznesi”, tha ministri, i cili po ashtu theksoi se nxënësit tanë duhet të përgatiten mirë jo vetëm për tregun kosovar, por edhe atë evropian.
Kryeparlamentari Veseli, ministri Bajrami, përfaqësuesit e BE-së dhe të komunitetit të biznesit në Kosovë, bënë nënshkrimin formal të Paktin për Rininë, njëherësh u pajtuan që ky Pakt të shpërndahet përmes zingjirëve të tyre furnizues dhe partnerëve.
Last modified: 30 Gusht, 2022