MASHT

Zv/ ministrja Statovci- Demaj me rastin e 7 Marsit vizitoi shkollën “Meto Bajraktari” në Prishtinë

7 Mars, 2016

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Anila Statovci- Demaj, me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit ka vizituar ShFMU “Meto Bajraktari” në Prishtinë, ku ka uruar mësimdhënësit e kësaj shkolle dhe të gjithë Kosovës.

Zv/ministrja Statovci-Demaj ka vlerësuar lartë rolin dhe kontributin e mësuesve shqiptarë në periudha të ndryshme, duke thënë se profesioni i mësuesit është i shenjtë dhe për më tepër, më shumë se sa profesion është një thirrje ku jo të gjithë mund ta bëjnë. 

Zv/ministrja Statovci-Demaj, me këtë rast tha se, jemi të bekuar që çdoherë kemi pasur mësuesit tanë, të cilët e kanë mbajtur gjallë në çdo kohë arsimimin, krijimin e personaliteteve me karakter dhe identitet të caktuar, të cilët pastaj kanë vazhduar kauzat, të cilat i kemi kaluar gjithë bashkë.

“Mësuesit tanë janë ata të cilët kanë mbajtur gjallë në kontinuitet  identitetin tonë, ata që kanë kontribuuar drejtpërsëdrejti që të ekzistojmë si identitet kulturor, kombëtar dhe kanë ndihmuar që gjenerata të tëra të marrin hapin e parë dhe më pas të vazhdojnë një jetë tutje”, është shprehur zv/ministrja Statovci- Demaj.

Ndër të tjera, zv/ministrja Statovci- Demaj ka thënë se, secila gjeneratë ka njerëzit e vet të suksesshëm, porse bërthama mbetet mësuesi. “Mësimdhënësit janë heronjë të vërtetë për periudhën e vet dhe ne të tjerët duhet përulësisht të jemi mirënjohës dhe po mundohemi që këtë ta realizojmë në çdo mënyrë, në funksionet ku jemi”, tha ajo, ndërkaq foli edhe për angazhimin e vazhdueshëm të Ministrisë së Arsimit në përmbushjen e obligimeve institucionale karshi mësimdhënësve, duke e konsideruar këtë veprim si investim i drejtëpërdrejtë në gjeneratat tona.

Ndërsa, Valbona Kastrati, drejtore e ShFMU “Meto Bajraktari” në Prishtinë, vlerësoi faktin që puna dhë përkushtimi i mësimdhënësve mbetet i njëjtë pavarësishtë kushteve dhe pozitës në të cilën ata janë gjendur.

“ Është element pozitiv që morali për punë te mësimdhënësit nuk bjen asnjëherë, ndoshta sepse përveq si profesion që kemi zgjedh, konsideroj se kemi pranë vetës një mision të shenjtë”, tha ajo.

Last modified: 30 Gusht, 2022