Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami, ka vizituar sot Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë, ku është takuar me rektorin e këtij Universiteti z. Naser Mrasori, me anëtarët e Këshillit Drejtues, dhe me profesorë e studentë.
Fillimisht, ministri Bajrami uroi të gjithë akterët e përfshirë, të cilët kanë kontribuar që ky universitet i ri të funksionalizohet dhe të ketë sukses në përgatitjen e kuadrove të mira. “Suksesi juaj tregon se këtu ka studentë të talentuar dhe ne do të angazhohemi që këtyre studentëve t’ju hapim horizonte të reja. Unë, si ministër, do të jem avokat i juaji në drejtim të ngritjes së cilësisë”.
Do të angazhohemi vazhdimisht, tha ministri Bajrami, që me punë të mbështesim Universitetin “Haxhi Zeka”, ta zhvillojmë edhe më tutje dhe ta bëjmë atraktiv edhe për studentët e rajonit. Ai theksoi se ngritja e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit do të jetë në fokus të punës së tij si ministër.
Ministri Bajrami foli edhe për nevojën e madhe të fuqizimit të universiteteve, sepse kjo lidhet edhe me zhvillimet ekonomike të vendit. Prandaj, tha ai, Qeveria e re do ta ketë arsimin si një nga prioritetet kombëtare. Ministri Bajrami premtoi se do të angazhohet për autonomi menaxheriale dhe akademike të universiteteve, dhe u shpreh se “autonomia e universiteteve është e shenjtë në arsim të lartë”. Po ashtu, premtoi përkrahje për ndërtimin e një korpusi universitar modern për Universitetin “Haxhi Zeka”, i cili do të ketë kapacitete për një numër të madh studentësh.
Ministri Bajrami, në fund të vizitës, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të nivelit Master në Fakultetin Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.
Last modified: 30 Gusht, 2022