MASHT

MAShT mbajti takimin e rregullt me DKA-të

18 Maj, 2016

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka mbajtur takimin e rregullt me drejtorët Komunal të Arsimit, me ç’ rast ministri Bajrami ka folur për fuqizimin dhe koordinimin e politikave në arsim, ndërsa u diskutua edhe për procesin e korrigjimit të teksteve shkollore nga kl. I- IX dhe rishikimin e dokumenteve të Kornizës dhe Kurrikulit Bërthamë.

Ministri Bajrami, pasi vlerësoi punën që po bëhet në zhvillimin e arsimit parauniversitar, me theks të veçantë përkushtimin në ngritjen e cilësisë,  theksoi se gjatë këtij viti shkollor është kompletuar infrastruktura ligjore e nevojshme për ndërtimin e kapaciteteve, për zbatimin e dokumentit për sigurimin e cilësisë në arsim. 

“Ky vit shkollor ka qenë vit ku ne kemi ndërtuar kornizën ligjore sa i përket
fokusimit kryesor, që është ngritja e cilësisë. Strategjia për Sigurimin e Cilësisë në Arsim është duke u zbatuar dhe jemi në afate të rregullta që ta shtrijmë gjerësishtë dhe të fokusohemi në ndërtimin e kapaciteteve për këtë strategji”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami tha se, është në përfundim procesi i korrigjimit të teksteve shkollore, ndërkaq bëri të ditur se në vitin e ardhshëm do të sigurohen tekstet e reja, të përshtatshme me Kornizën e Re të Kurrikulit.
Ministri Bajrami, po ashtu ka folur edhe për sigurimin e mbështetjes së Bankës Botërore, sa i përket përfitimit të granteve shkollore, sidomos për nivelin parashkollor.

Gjatë këtij takimi, ministri Bajrami ka kërkuar angazhim maksimal nga ana e përgjegjësve komunal për ta realizuar me sukses procesin e Provimit të Maturës Shtetërore, Testit të Arritshëmrisë, si dhe për ta mbyllur me sukses këtë vit shkollor.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.