Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në takimin me kryetarë të Qendrave të Testimit për Provimin e Maturës Shtetërore, me qëllim të mobilizimit dhe informimit të të gjithë bartësve të këtij procesi të vlerësimit kombëtar, për të qenë në nivel të përgjegjësisë dhe detyrave me të cilat janë të ngarkuar.
Ministri Bajrami e ka vlerësuar të suksesshme pjesën e parë të testimit, e cila këtë vit për herë të parë është organizuar me disa ndryshime, të cilat janë bërë në Ligjin për Maturën Shtetëtore dhe të cilat kanë rezultuar të jenë të sukseshme.
“Matura tregon pjekurinë e sistemit arsimor, përgjegjësinë tonë për të ndërtuar një proces kredibil, profesional dhe të besueshëm. Ju, të nderuar kryetarë të Qendrave të Testimit, jeni personat kyç në këtë proces dhe do të merrni në përgjegjësi administrimin e 252 Qendrave të Testimit, në mënyrë që gjithçka të kalojë me kriteret më të larta profesionale”, është shprehur ministri Bajrami.
Ministri i ka ftuar kryertarët e Qendrave të Testimit që të monitorojnë plotësisht qendrat në të cilat janë të caktuar, të kenë autoritetin e plotë ligjor për të marrë masat e nevojshme ndaj administratorëve për të qenë në nivel të detyrave.
Për mbarëvajtjen e procesit të pjesës së dytë (afati i qershorit) të Provimit të Maturës Shtetërore, janë angazhuar mbi 1800 administrues, mbi 300 mbikëqyrës, si dhe 252 kryetarë të Qendrave të Testimit. Provimit të Maturës do t’i nënshtrohen mbi 32.000 maturantë. Pjesa e dytë e tetit do të përmbajë 100 pyetje nga lëndët profesionale.
Last modified: 29 Gusht, 2022